“Duhen edhe 48 orë për të kuptuar nëse Rama e ka lëshuar Xhaçkën apo jo”, mbyllet me debate mbledhja e Këshillit të Mandateve, ja çfarë u vendos

Është mbyllur me debate mbledhja e Këshillit të Mandateve teksa po diskutohej lidhur me zvarritjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës.

Klotilda Bushka kërkoi që të vendoset në seancën plenare të së enjtes nëse çështja për mandatin e deputetes Xhaçka do t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim.

Deri të mërkurën parashikohet që të realizohet një raport dhe më pas t’i propozohet seancës plenare që të votojë nëse do ta dërgojë ose jo çështjen për mandatin e Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.

Por kjo solli edhe reagimin e kreut te grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili tha ndër të tjera se socialistëve u duhen edhe 48 orë për të kuptuar nëse kryeministri Edi Rama ka lëshuar apo jo, ish-ministren Xhaçka.

Më herët gjatë mbledhjes Gazment Bardhi e Ervin Salianji akuzuan maxhorancën se është bërë mburojë e Olta Xhaçkës dhe kërkuan që çështja të mos zvarritet por të futet në rend të ditës në seancën e ardhshme.

Debatet:

Nikolla: Unë them ta mbyllim mbledhjen. Cështja do të çohet për votim në seancë plenare.

Bardhi: Nuk mund të talleni as me parlamentin as opozitën. U thamë ta dërgojmë në seancë plenare. Këmbëngulët që të mblidhet këshilli i mandateve. Kush është konkluzioni i kësaj mbledhjeje. Çfarë do i propozojmë seancës plenare

Nikolla: Do i propozojmë raportin që do më paraqisni brenda të mërkurës.

Bardhi: Kush është qëndrimi juaj apo nuk keni marrë akoma telefonatën nga Edi Rama çfarë do të bëni me mandatin. Për çfarë u mblodhëm sot?

Bushka: Në bazë të nenit 70 të Kushtetutës do i dërgohet raporti i këshillit të mandateve seancës plenare për të vendosur në lidhje me dërgimin e cështjes në Gjykatën Kushtetuese. Do i propozojmë seancës plenare për të vendosur nëse do e cojë në Gjykatë Kushtetuese.

Bardhi: Pra i duhen dhe 48 orë sa të kuptojnë e ka lëshuar apo jo Edi Rama Olta Xhaçkën.

Kujtojmë që Kushtetuesja vendosi pranimin e kërkesës së 14 deputetëve të PD, për ta shfuqizuar vendimin e Parlamentit që miratoi raportin e mazhorancës për të mos e çuar mandatin e Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese. Ky vendim do të thotë që Kuvendi është i detyruar që ta çojë një kërkesë të deputetëve për verifikim të mandatit të një deputeti në Kushtetuese dhe do të jetë kjo e fundit që do të vendosë.