DOSIER / Nënshkrimi në muret e Partisë Demokratike

Do you want to wish us good luck in the elections?

If yes, please sign here

“A doni të na uroni fat në zgjedhje?

Nëse po, ju lutem firmosni këtu”

Këto fjalë në gjuhën angleze u shkruan në faqet e bardha të fletëve format A4 të ngjitura nëpër mur, në selinë e parë të Partisë Demokratike. Ishte dhjetor në vitin vitit 1990, ditët kur u themelua Partia Demokratike dhe selia e parë e saj ndodhej në rrugën e Kavajës. Ishte kthyer si në një vend pelegrinazhi ku shumica e shqiptarëve donin ta vizitonin.


Më mijëra njerëz hynin e dilnin nëpër dyert e selisë modeste. Me qindra gazetarë të huaj e diplomat. Të gjithë kalonin përballë faqeve të bardha ku nënshkruanin me dëshirë e pasion mbështetjen për partinë e sapothemeluar, partinë që shihej nga mbi 70% e shqiptarëve si shpresa për liri.


Siç duket në fotografi, nëpër ato faqe gjen firmat e themeluesve të PD-së, si Aleksandër Meksi, Gramoz Pashko, Eduard Selami e të tjerë. Gjen nënshkrime të gazetarëve të huaj dhe mesazh të bukura gjithashtu. Është një ndër kujtimet më të bukura të atyre ditëve pë rata që i jetuan emocionet e ditëve të para të lirisë.


Kur u shpërngul zyra e PD-së, një ndër themeluesit e PD-së, Bashkim Sala i hoqi posterat me kujdes dhe i paketoi në arkivën e tij për t’i mbajtur deri sot. Ishin materialet e para që nisën të ndërtojnë arkivën e historisë së kësaj partie.


Partia Demolkratike ka tashmë historinë e saj. Mbi ato fletë të bardha si shpresa e madhe e shqiptarëve për liri, janë shkruar shumë ngjarje, disa të mira e shumë të tjera të trishta. Për fat të keq u rishkrua historia e shtypjes së lirisë së mendimit e shpresës për demokraci. Për të mbërritur sot pas 32 vitesh kur PD është e ndarë në disa copëza, logo e PD-së është në gjyq ndërmjet tri palëve, elektorati e ka braktisur pasi është një parti pesë herë rrjesht humbëse në zgjedhje. Aktualisht Partia Demokratike po shkruan faqet më qesharake të historisë.