Ministria e Jashtme ka mohuar lajmin që qarkullon në disa portale për bllokimin e llogarive bankare të disa prej diplomatëve shqiptarë.
Në deklaratën për mediat, MEPJ shkruan se diplomatët janë paguar rregullisht, teksa shton se llogaritë bankare të MEPJ e të çdo përfaqësie diplomatike të Republikës së Shqipërisë gëzojnë imunitet diplomatik e kësisoj janë të pacënueshme në çdo rrethanë.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme cilëson si të pavërtetë dhe tërësisht abuziv informacionin e publikuar në disa portale, mbi të ashtëquajturin “bllokim” të llogarive bankare të MEPJ apo përfaqësive diplomatike shqiptare, përfshirë Italinë.
MEPJ informon opinionin publik dhe median se në bazë të Konventës së Vjenës llogaritë bankare të MEPJ e të çdo përfaqësie diplomatike të Republikës së Shqipërisë gëzojnë imunitet diplomatik e kësisoj janë të pacënueshme në çdo rrethanë.
Çdo punonjës i MEPJ dhe i shërbimit më jashtë si në Itali e në çdo shtet tjetër ka marrë pagesën rregullisht, sikundër edhe atë të muajit korrik, konform ligjeve dhe kodit të punës”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.