Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, ku një grup të burgosurish festojnë me muzikë dhe alkool brenda në një qeli të Burgut të Durrësit.
Burgjet thonë se personat e shfaqur në video janë identifikuar dhe rezulton se një pjesë e tyre janë liruar ose transferuar përpara muajit janar 2026.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se menjëherë pas publikimit të videos është vënë në lëvizje Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, i cili ka nisur një hetim të plotë administrativ dhe penal.
Ishte gazetari Flamur Vezaj i cili publikoi videon, ku krahas pamjeve shkruante: “Video-skandali në burgun e sigurisë së lartë… festë në qeli me telefon, alkool e ‘mall’…”.
Deklaratë e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve
Në lidhje me videon e publikuar në rrjetet sociale nga gazetari Flamur Vezaj, sqarojmë si vijon:
Së pari, falënderojmë gazetarin për informacionin e bërë publik dhe inkurajojmë çdo qytetar apo gazetar të denoncojë çdo akt të paligjshëm apo shkelje që cenon sigurinë në institucionet penitenciare.
Së dyti, sqarojmë se personat e shfaqur në video janë identifikuar nga strukturat tona dhe rezulton se një pjesë e tyre janë liruar ose transferuar përpara muajit janar 2026.
Menjëherë pas qarkullimit të videos është njoftuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve dhe kanë nisur procedurat për hetim të plotë. Hetimi përfshin të gjithë personat e identifikuar në video, si dhe verifikimin e plotë të zinxhirit komandues në IEVP Durrës, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive në çdo nivel. Paralelisht, strukturat e IEVP Durrës vijojnë kontrollet intensive me qëllim identifikimin e plotë të përgjegjësive dhe fillimin e çështjeve penale për personat e përfshirë.
Situata aktuale nuk është ajo që paraqitet në video. Kontrollet janë intensifikuar dhe vijojnë në mënyrë të pandërprerë. Në vijim të kontrolleve të ushtruara gjatë muajit prill, gjatë ditës së sotme janë zhvilluar kontrolle të befasishme dhe të imtësishme në disa institucione.
Në IEVP Durrës janë kapur në flagrancë dhe sekuestruar 3 telefona celularë. Poseduesit e këtyre pajisjeve janë ndër personat e identifikuar në video. Ndaj tyre janë marrë masa të menjëhershme, duke u kaluar në veçim dhe duke u proceduar penalisht.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk toleron asnjë shkelje. Çdo rast trajtohet me masa konkrete, përgjegjësi individuale dhe ndjekje penale.
Mesazhi është i qartë: siguria nuk negociohet. Çdo shkelje do të goditet pa kompromis dhe kontrolli në institucionet penitenciare do të vijojë të forcohet çdo ditë.
Më poshtë video e publikuar nga gazetari Flamur Vezaj: