Dikur Shqipëria kishte tonelata ar, sot nuk ka asnjë kacidhe. Kush e grabiti floririn shqiptar?!

Erald Kapri

Zyrtarisht, Shqipëria është vëndi më i varfër në Europë në depozitat e arit në Bankën e Shqipërisë. Posedimi i arit është një prestigj për kombet si dhe një mundësi për të treguar pasurinë dhe për të rritur rezervën valutore. Ndërsa Shqipëria ka një rezervë valutore prej 4 miliardë eurosh, në flori është pothuaj minimale. Sot, Banka e Shqipërisë deklaron se ka vetëm 2.5 ton rezervë valutore në ar. Nga të cilat, rreth 2.338 kilogram i Shqipërisë ose 2.33 ton ar ndodhet në Londër prej 80 vitesh. Me pak fjalë, Shqipëria që ka pasur tonelata në ar, sot ka vetëm thërrime. Ku u zhduk ari shqiptar?

Një fakt i njohur është se Shqipëria ka qënë një vend i pasur në ar. Para luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri kanë qarkulluar lirshëm qindra ton ar si formë pagese dhe ruajtje pasurie si forma më e besuar e shqiptarëve.

Në vitet 20, një inspektim i Lidhjes së Kombeve, zbuloi se në Shqipërinë e varfër qarkullonin disa dhjetëra lloj monedhash ari si formë pagese dhe besohej se në Shqipëri ndodhej një sasi prej 320 tonësh ar në duart e popullsisë. Ky inspektim e bënte të favorshëm krijimin e një banke kombëtare e cila do të garantonte një monedhë kombëtare në standardin e arit.

Në vitin 1925, u arrit krijimi i Bankës Kombëtare Shqiptare me kapital të përbashkët shqiptaro-italian, ku shqiptarët kishin afërisht 49 % të kuotave dhe italianët 51 %, duke u lënë atyre manaxhimin e përgjithshëm të bankës. Me këtë rast, u krijua monedha shqiptare Lek e cila garantohej në ar. Ende sot, shqiptarët kanë memorizuar se si në vitet para luftës, leku ishte më i fortë se ari, si një mënyrë për mbledhjen e tij. Gjithsesi, Banka e Shqipërisë nuk arriti të krijojë ndonjë rezervë të konsiderueshme në ar por arriti të krijojë likuiditet dhe një situatë ekonomike të favorshme për tregti.

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia, largoi Mbretin Zog nga Shqipëria. Ai mori me vetë një sasi të vogël ari që njihej si llogaria mbretërore me rreth 180 kilogram flori, ose me një vlerë prej 1.5 milionë eurosh me të sotmet. Ndonëse në Bankën e Shtetit kishte mbi 2 ton ar, Zogu e kishte të pamundur ta merrte edhe sikur të donte, për shkak të rregullave dhe më e rëndësishmja, ari shqiptar ruhej në Romë.

Madje, një llogari bankare prej 1 mijë monedhash ari e Mbretëreshës Geraldinë, nuk u arrit të merrej, pikërisht për shkak të procedurave. Me pak fjalë, kur Zogu u largua nga Shqipëria i la vendit një depozitë bankare prej 2.5 ton ar.

Por kjo sasi ari në Romë, ka një histori të veçantë mbijetese. Ai është grabitur disa herë nga vende të ndryshme, është pretenduar nga disa vende të tjera, por më në fund u arrit të rimerret nga Shqipëria. Më interesante është fakti që ky ar është nuk ka mbërritur ende në Shqipëri por ndodhet në një depozitë sigurie në Bankën Kombëtare të Anglisë.

Pas kapitullimit të Italisë në vitin 1943, gjermanët e morën arin shqiptar që ndodhej në Romë dhe e zhvendosën në Berlin. Dokumentet e zbuluara së fundmi në arkivin britanik, tregojnë se bëhej fjalë për 45 arka metalike që brenda kishin vetëm monedha të arta, kryesisht napolona ari. Gjermanët gjetën saktësisht 2 338.75 kg ar. Dokumentet kanë zbuluar se ari shqiptar është transportuar në fshehtësi të plotë nga një grup i besuar oficerës SS me në krye majorin gjerman Herbert Kappler, i shoqëruar nga diplomari gjerman në Romë Joseph Ortmann. Transporti u bë me kamionë dhe u depozituan në Reichsbank.

Qeveria shqiptare me në krye regjencën e Mehdi Frashërit i kërkuan llogari gjermanëve për marrjen e arit dhe në 6 prill 1944, u nënshkrua një protokoll sekret ku u garantua se ari të mbetej i Shqipërisë por të ruhej nga gjermanët. Një tjetër fakt i njohur është që gjermanët morën një sasi prej  prej 20.000 copë napolona ari në Tiranë kur u larguan në nëntor 1944, një peshë prej 116.118 kg ar, dhe për këtë sasi nuk pati asnjëherë një marrëveshje dypalëshe.

Fati e deshi që gjermanët të lajmëronin britanikët më së pari, pasi Berlini u pushtua nga sovjetikët, për këtë pasuri në ar dhe me një operacion tjetër sekret, në vitin 1945, ari shqiptar u transportua me avion në Londër, nga ku ruhet ende sot.

Por ishin shumë vende që kishin pretendime ndaj pasurive të grabitura nga gjermanët dhe që ishin konfiskuar tashmë nga britanikët. Për këtë çështje, u ngrit një Komision Trepalësh nga forcat aletate dhe me amerikanët, për të bërë ndarjen e këtyre pasurive të grabitura.

Por ari shqiptar u bllokua nga britanikët në vitin 1946, pas incidentit në Kanalin e Korfuzit ku dy luftanije britanike ranë në mina. Britanikët arritën të fitojnë gjyqin ndërkombëtar dhe pretendonin dëmshpërblim prej 800 mijë paundësh në atë kohë. Arin shqiptar e vlerësoi në masën prej 600 mijë paundësh, dhë në kushet kur Shqipëria nuk pranonte përgjegjësinë e incidentit, britanikët nuk e lëshuan arin.

Por mbi arin shqiptar prej 2.3 tonësh, pati pretendim Italia e cila kërkonte gjysmën e tij. Do ishte falë këmbënguljes së amerikanëve, që ari shqiptar të mos prekej, deri pas shëmbjes së komunizmit. Më pas, në vitin 1993, qeveria shqiptare dhe ajo britanike rinisën negociatat dhe pasi Shqipëria pranoi përgjegjësinë e saj, Britanikët lëshuan arin shqiptar.

Por prej asaj dite, kjo sasi prej 2 338.75 kg ar ruhet ende në Bankën e Anglisë, ndonëse në pronësi të Shtetit Shqiptar. Arsyeja është e thjeshtë; transporti i tij kërkon një shumë të madhe duke përfshirë edhe sigurimin e udhëtimit, ç’ka është një shumë e konsiderueshme. Për këtë arsye, është lënë të ruhet në Bankën e Anglisë, duke krijuar më shumë siguri për arin shqiptar duke marë parasysh që ai pak ar që ndodhej në vendin tonë u grabit në Krrabë në fundin e viteve 90.

Por, fakti më ironik është se Shqipëria ka vetëm këtë pasuri në ar, ndërkohë që dokumentet e shumta tregojnë se ari ka qënë me tepricë në Shqipëri.

Pas ardhjes së komunizmit, dhjetëra ton ar iu konfiskuan me dhunë familjeve të pasura shqiptare. Deri në vitin 1946 nuk ka të dhëna të sakta se sa ar u grabit nga komunistët, por më pas në dokumentet e ministrisë së Brendshme bëhet e ditur se janë 43.816.682 monedha të arta të grabitura nga komunistët që përbëjnë në total mbi 280 ton ar.

Në kohën e sotme, kjo sasi i kalon vlerën e 15 miliardë eurove. Por më interesant është fakti që komunistët kanë futur në llogari të shtetit shqiptar vetëm 3 ton ar, dhe për pjesën tjetër nuk ka asnjë hetim se ku shtoi dhe se si u shpenzua nga shteti komunist.

Një tjetër fakt i njohur është se në llogaritë e shtetit komunist janë shpenzuar mbi 7 ton ar për blerje të ndryshme. Po ashtu, një sasi e konsiderueshme ari është humbur në kurs këmbimi nga komunistët.

Gjatë viteve të diktaturës, një sasi ari është nxjerrë edhe nga miniera e Rubikut.

Por në përfundim të komunizmit, Shqipëria ishte e zhveshur nga pasuria në ar. Në gjithë këto vite tranzicion, nuk u krijua pasuri në ar për rezervën valutore. Kështu, Shqipëria ka të njëjtën pasuri në ar që la Mbreti Zog 80 vite më parë dhe asnjë gram më tepër.

Në gjithë këto vite, askush nuk hetoi apo kërkoi shpjegim se ku u zhduk ari shqiptar në kohën e diktaturës ndërkohë familjet e grabitura nga pasuria në ar presin ende kompensim.