Detaje/ 38 vjeçari me thikë lëvizte i lirë në Durrës duke vënë në rrezik kalimtarët, plagosi efektivin që tentoi ta arrestonte

Policia ka dhënë detaje në lidhje me plagosjen e efektivit në Durrës, ngjarje e ndodhur sot pak para mesdite. Sipas uniformave blu, efektivi E.C u sulmua teksa po neutralizonte një person që lëvizte me thikë në lagjen nr.1 të Durrësit, i cili vuri në rrezik edhe kalimtarët në këtë zonë.

Raportohet se agresori vuan nga probleme të shëndetit mendor. Sa i takon efektivit, ai është dëmtuar lehtë në dorë dhe është jashtë rrezikut për jetën.

“Rreth orës 11:00, Policia ka marrë njoftim nga qytetarët, se në lagjen nr. 1, një shtetas po lëvizte në rrugë, me mjet prerës, në dorë, duke u bërë rrezik për kalimtarët.   

Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë ku kanë konstatuar shtetasin F. C., duke mbajtur një mjet prerës (thikë), në dorë. Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, për neutralizimin e këtij shtetasi, është dëmtuar lehtë në dorë, nga mjeti prerës, punonjësi i Policisë E. C., i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë e kanë shoqëruar shtetasin F. C., 38 vjeç, në Komisariat, për veprime të mëtejshme.

Mjeti prerës është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit”- njofton policia.