Der Standard: Kampi në Shqipëri, Meloni provon sërish, këtë herë me kriminelë

Shumica e migrantëve nuk kishin as idenë se çfarë po ndodhte me ta: u zgjuan gjatë natës nga e enjtja në të premte nëpër qelitë e tyre, u prangosën dhe u transportuan me autobusë drejt qytetit port jugor italian Brindisi. Vetëm në port filluan të kuptonin se destinacioni i tyre i radhës do të ishte Shqipëria – konkretisht kampet e dëbimit të ngritura nga Italia. Dhe ashtu ndodhi. Me anijen e Marinës “Libra”, ata u dërguan në portin e Shëngjinit dhe më pas në kampin e dëbimit në Gjadër, rreth 20 kilometra larg.

Sipas mediave italiane, migrantët e transferuar në Shqipëri vijnë nga Maroku, Tunizia, Algjeria, Nigeria, Egjipti, Pakistani, Bangladeshi, Gjeorgjia dhe Moldavia.

Para transferimit, këta 40 migrantë ishin mbajtur në qendra të ndryshme dëbimi në Itali. Disa prej tyre ishin dënuar më parë: pesë për krime seksuale, një për tentativë vrasjeje, të tjerë për vjedhje, mashtrime financiare dhe rezistencë ndaj autoriteteve. Ndërkohë, disa nuk kishin pasur probleme me ligjin, por të gjithë kishin një gjë të përbashkët: mungesën e lejes së qëndrimit dhe një urdhër dëbimi nga Italia. Qëllimi është që brenda një periudhe maksimale prej 18 muajsh, ata të dëbohen drejt vendeve të origjinës – kësaj here nga Shqipëria.

Një projekt që kushton një miliard euro

Transferimi – që opozita italiane e quan “deportim” – është përpjekja e katërt e qeverisë së djathtë të Giorgia Melonit për të funksionalizuar kampet e dëbimit jashtë territorit italian. Këto kampe, që tashmë i kanë kushtuar taksapaguesve italianë rreth një miliard euro, janë rezultat i një marrëveshjeje dypalëshe mes Romës dhe Tiranës dhe kanë nisur funksionin në vjeshtën e vitit 2024. Përpjekjet e mëparshme për të vendosur azilkërkues në këto kampe dhe për t’i përshpejtuar procedurat e azilit brenda një periudhe maksimale prej 30 ditësh, janë rrëzuar nga gjykatat italiane.

Me këtë përpjekje të re, Meloni në fakt po ndryshon qëllimin fillestar të këtyre kampeve. Fillimisht, ato ishin menduar vetëm për meshkuj që vinin me gomone nga vende të sigurta dhe që nuk kishin asnjë shans për të marrë azil. Migrantët e parë që u dërguan në Shqipëri ishin ndaluar nga roja bregdetare italiane në det të hapur dhe u çuan direkt në kamp, pa shkelur kurrë tokën italiane.

Këtë herë, situata është ndryshe. Të gjithë të dërguarit ndodheshin prej kohësh në Itali.

Vetëdëmtime në kamp

Ndryshimi i destinacionit dhe përdorimit të kampeve u bë i mundur falë një dekreti të qeverisë italiane, të miratuar më 28 mars. Ende nuk është e qartë nëse ky ndryshim është koordinuar me autoritetet shqiptare dhe nëse do të qëndrojë përballë shqyrtimit nga gjykatat italiane.

Eurodeputetja socialdemokrate Cecilia Strada kritikoi mënyrën e trajtimit të migrantëve, përfshirë prangosjen dhe ndalimin e tyre nga kontakti me avokatët. Sipas saj, të ndaluarit janë në gjendje dëshpërimi të thellë, dhe deri më tani janë raportuar tre raste vetëdëmtimi.

Deputeti Alessandro Zan i bëri thirrje kryeministres Meloni të heqë dorë nga “imitimi i mikut të saj Donald Trump” dhe të pranojë se “modeli shqiptar ka dështuar”./ Der Standard