Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka gjetur fajtor dhe ka dënuar me 4 vjet burg Muhamet Manollarin.
Ai u dënua për veprën penale “Financimi i terrorizmit”. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Manollari ka dërguar para në Siri për të financuar organizatën terroriste ISIS.
Sipas hetimeve, babai i të pandehurit Muhamet Manollari, Mehdi Manollari është larguar në maj të vitit 2013 nga Shqipëria për në Siri, duke u bërë pjesë e organizatës “ISIS”, e listuar si organizatë terroriste nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës të Kombeve të Bashkuara.
Në nëntor të vitit 2016, Mehdi Manollari është futur në listën kombëtare të personave të shpallur për financim të terrorizmit.
Nga hetimet ka rezultuar se në nëntor të 2018-ës, i pandehuri Muhamet Manollari ka transferuar nëpërmjet një institucioni që ofron shërbime të transfertave monetare shumën prej 864 euro në favor të një shtetasi sirian, me qëllim për t’ia dërguar babait të tij Mehdi Manollari, i cili në atë kohë ndodhej në Siri dhe ishte pjesë e organizatës terroriste “ISIS”.
Ai do të vuajë dënimim në një burg të sigurisë së zakonshme.
“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Erjon Bani dhe Elsa Ulliri, me vendimin Nr. 29, datë 15.04.2025 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Muhamet Mehdi Manollari, për kryerjen e veprës penale “Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur”, parashikuar nga neni 230/ç i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.
2. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Muhamet Mehdi Manollari fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi, në momentin që merr formë të prerë, dhe ky dënim të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme”, thuhet në njoftimin e GJKKO-së.