Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar vendimin e Gjykatës së Hagës që dënoi me 81 vite burg ish-krerët e UÇK-së.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha e cilësoi këtë si një ditë të rëndë për shqiptarët dhe familjet e ish-drejtuesve politikë të UÇK-së.
Sipas Berishës, pavarësisht vendimit të Gjykatës, lufta e UÇK-së dhe roli i saj në çlirimin e Kosovës, sipas tij, nuk mund të zhbëhen.
“Sot është një ditë jo e mirë për shqiptarët, për mbarë kombin, familjet e ish-udhëheqësve politikë të UÇK-së, pasi gjykata e Shkallës së parë në Hagë komunikoi vendime me të cilat në mënyrë absolute nuk arriti që të substanciojë asgjë konkrete, përveç deklaratave të përgjithshme që janë përsëritur me dhjetëra dhe qindra herë nga propaganda e Beogradit. Dha dënime tërësisht të pamerituara në vend që të shpallte pafajësinë në sallë, në emër të të drejtës ndaj ish-udhëheqësve politikë të UÇK-së. Me këtë rast, festë bëhet në Serbi, në Beograd për këto dënime të padrejta, por asgjë nuk mund të errësojë luftën e UÇK-së, të popullit të Kosovës që ata udhëhoqën si faqen më të ndritur. Ato ishin akuza bajate propagandistike të Sllobodanit dhe të padronit të Edi Ramës. PD shpreh vlerësimin më të madh për luftën çlirimtarë të Kosovës dhe shpreson dhe beson se Apeli i gjykatës unike në botë në llojin e saj, se aty janë mbledhur të gjitha dosjet e Beogradit. U akuzuan për transplant organesh, zero!”, tha Berisha.