Deklarata provokuese e zv.kryeministrit serb, Ministria e jashtme kërkon sqarime, thërret ambasadorin Vukčević

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka thirrur ambasadorin serb në vendin tonë Slobodan Vukčević, pas deklaratave të zv.kryeministrit serb Aleksandër Vulin. Ky i fundit, referuar vizitës së kryeministrit Edi Rama në Athinë, deklaroi se vetëm bota serbe e ndalon Shqipërinë e Madhe.

Duke e cilësuar si një provokim dhe që nuk i shërbejnë paqes dhe stabilitetit në rajon, MEPJ ka thirrur ditën e djeshme Vukčević për të dhënë sqarime mbi këtë deklaratë.

Më tej, MEPJ pret reflektim të menjëhershëm, në mënyrë që deklarata të tilla të dëmshme, të përsëritura të mos ndikojnë në marrëdhëniet tona, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian.

Reagimi:

MEPJ thërret Ambasadorin serb, kërkohen sqarime për deklaratat e zv. Kryeministrit, Aleksandër Vulin.

Ambasadori i Serbisë, Slobodan Vukčević është thirrur dje në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku iu kërkuan sqarime në lidhje me deklaratat që zv. Kryeministri Vulin ka bërë, referuar vizitës dhe takimit të Kryeministrit Rama me diasporën shqiptare në Greqi.

Deklarata provokuese e zyrtarit serb është në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit. Shqipëria është faktor i rëndësishëm që punon dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe kjo është në thelb të bashkëpunimit edhe me Serbinë.

MEPJ pret reflektim të menjëhershëm, në mënyrë që deklarata të tilla të dëmshme, të përsëritura të mos ndikojnë në marrëdhëniet tona, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian.