Bruna Mersini e quan “fatkeqësi natyrore” defektin e ujësjellësit: Protesta po bëhet nga opozita

Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Bruna Mersini, e ka quajtur “fatkeqësi natyrore” defektin e ujësjellësit të qytetit, që ka lënë qytetarët prej 5 ditësh pa furnizim me ujë.

Në një deklaratë për mediat, ajo hoqi përgjegjësinë nga institucioni që drejton, duke thënë se problemi është i ujësjellësit dhe jo i bashkisë.

Gjithashtu, Mersini deklaroi se protesta po bëhet nga opozita dhe ky problem po përdoret për të bërë politikë.

“Kjo është një fatkeqësi natyrore, nuk duhet përdorur për të bërë politikë. Nuk është momenti të bëjmë analiza dhe të gjejmë fajtorin, është momenti të japim zgjidhjen. Dhe zgjidhja është duke ardhur nga Turqia: në orën 02:30 zbret avioni me tre pjesë rezervë, të cilat në orën 17:00 mbërrijnë në Vlorë.

Ndërkohë, zgjidhja e përkohshme duket se po funksionon pjesërisht. Jemi duke i dhënë ujë qytetit pjesërisht nëpërmjet ujësjellësit dhe, ndërkohë, 15 autobotë dhe emergjencat civile janë në terren duke shpërndarë ujë me koli”, tha ajo.