Bizhuteri ari të vjedhura, armë dhe dylbi, arrestohet 25 vjeçari në Kurbin, në kërkim i ati

Një 25 vjeçar është arretuar dhe babai i tij është shpallur në kërkim, në sajë të operacionit “Sundimi i ligjit”.

Ky operacion bëhet në zbatim të planit operacional të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri dhe të atyre që mbajnë në banesë armë, municion ose drogë.

Geri Rizvani (Lika) është arrestuar në Kurbin, pasi në banesë i janë gjetur sende me vlerë të vjedhura dhe armë zjarri. Ndërsa në kërkim është shpallur babai i tij, Zyhdi Lika. Dyshohet se babë e bir janë të përfshirë në raste vjedhjesh të armatosura, pasi veç të tjerash u janë gjetur edhe dylbi për snajper dhe targa franceze të vjedhura.

Njoftimi i policisë

Kurbin/Vijon zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.

Finalizohet falë inteligjencës policore operacioni i koduar “Gold and Guns”.

Operacioni nga Komisariati i Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë (Njësia Shkodër).

Sekuestrohen armë zjarri, dylbi për snajper, bizhuteri e sende të tjera të kundërligjshme.

Vihet në pranga një 25-vjeçar, si dhe vijon puna për kapjen e 48-vjeçarit (babait të tij).

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, bazuar në inteligjencën policore dhe pas një pune hetimore të ndjekur me metoda speciale në bashkëpunim me Prokurorinë, organizuan dhe finalizuan me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë (Njësia Shkodër), operacionin policor të koduar “Gold and Guns”.

Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi G. L., 25 vjeç, si dhe u shpall në kërkim babai i tij, shtetasi Z. L., 48 vjeç.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e këtyre shtetasve, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

2 armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak;

1 armë gjahu teke (Berreta) dhe një sasi fishekësh për armë gjahu;

1 palë dylbi si ato të armës së zjarrit snajper;

Një sasi bizhuterish të dyshuara të vjedhura;

2 palë dylbi, 2 automjete dhe 2 targa franceze të dyshuara të vjedhura.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.