Banka e Shqipërisë nuk shqetësohet nga kursi i këmbimit, Sejko: Po ndihmon ekonominë

Banka e Shqipërisë ka vendosur sërish të mos bëjë asgjë për luhatjet e forta të kursit të këmbimit ku monedha kombëtare është forcuar ndjeshëm. Gurvernatori Gent Sejko tha sot se forcimi i i lekut po ndihmon ekonominë ndonëse pranoi se luhatjet janë të larta.

“Kursi i këmbimit të lekut ndaj euros ka ardhur në forcim të vazhdueshëm gjatë vitit 2023. Në terma vjetorë, ky forcim regjistroi një vlerë mesatare prej 8.5% gjatë tremujorit të dytë dhe u përshpejtua më tej në muajin korrik, duke regjistruar vlerën 12.1%.

Analizat tona sugjerojnë se kahu forcues i kursit të këmbimit është në linjë me përmirësimin e bilancit të shkëmbimeve ekonomike e financiare me jashtë, të ndikuara nga rritja e shpejtë e të ardhurave nga turizmi, nga reduktimi i vazhdueshëm i deficitit të llogarisë korrente, si dhe nga vlerat e larta të investimeve të huaja direkte. Gjithashtu, ai është konsistent me rritjen e besimit të publikut në monedhën tonë kombëtare dhe reduktimin e primeve të rrezikut në tregjet e brendshme financiare.

I parë në këtë prizëm, në përputhje edhe me përfitimet që ofron një regjim i lirë i kursit të këmbimit, kahu forcues i kursit të këmbimit ka ndihmuar në reduktimin e presioneve të huaja inflacioniste dhe ka mundësuar një normalizim më të ngadaltë të qëndrimit të politikës monetare. Megjithatë, shpejtësia e forcimit të kursit mbetet e lartë dhe luhatjet në tregun valutor janë rritur” tha Sejko.

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

  • të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.00%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.00%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.00%.

Këshilli Mbikëqyrës vëren se kjo vendimmarrje u mbështet nga ecuria pozitive e zhvillimeve të pritura ekonomike në skenarin bazë, nga balanca më neutrale e rrezikut, si dhe nga forcimi i kursit të këmbimit dhe përshpejtimi i trendit të konsolidimit fiskal gjatë gjysmës së parë të vitit.