Balla paralajmëron opozitën: Do e zgjedhim ne Avokatin e Popullit nëse s’bëheni pjesë e procesit

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka paralajmëruar opozitën se nëse nuk bëhet pjesë e procesit, do të zgjedhin vet Avokatin e Popullit.

Në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes së grupit të PS, Balla tha se opozita nuk mund të mbaj peng zgjedhjen e Avokatit të Popullit, proces që sipas tij duhet të mbyllet sa më shpejt. Sipas Ballës, zgjedhja e Avokatit të Popullit do bëhet, me apo pa opozitën.

Ndër të tjera shtoi se Avokati i Popullit duhet të jetë një përfaqësues i nderuar i shoqërisë civile me kontribute në jetën sociale të vendit.

“Të ndërtojmë së bashku një proces. Por jemi këtu në këtë situatë 3 vjet me vonesë për shkak të mungesës së dëshirës së opozitës për tu bërë pjesë e këtij procesi. Tani nuk e kanë as mbajtjen peng të këtij procesi, sepse nëse nuk do të bëhet pjesë ne do ti japim Shqipërisë Avokatin e Popullit.

Uroj që në seancën e të enjtes të kenë mundësi të flasin të gjithë deputetët. Ne do i japim Shqipërisë Avokatin e popullit, me shpresën që do t’i japim një njeri me integritet, i fushës së jurisprudencës”, tha Balla.