Babai i tij ka vrarë kunatin, dy vëllezërit i ka në burg, e shkuara kriminale e familjes së vrasësit të policit në Fier

Azgan Mërnica, 23 vjeçari i cili një ditë më parë vrau me plumb në kokë efektivin Novruz Cenalia, vijon të jetë i fshehur dhe policia nuk e ka kapur ende. Ndërkohë është mësuar edhe e shkuara e errët kriminale e familjes së tij.

Një nga vëllezërit e tij, Kiri Mernica ndodhet në burg pasi në gusht të vitit 2019, masakroi me thikë Florian Selimin. Vëllai tjetër, ndodhet në burg në Gjermani. Mësohet se babai i 23 vjeçarit, ka qenë i dënuar me 20 vite burg, për vrasjen e kunatit e tij.

Policia dhe RENEA janë duke kontrolluar në zonën e Apolonisë, pasi dyshohet se Azgan Mërnica nuk ka dalë jashtë Fierit.

Në momentin e krimit, autori ishte me nënën e tij, e cila dha dëshminë edhe para uniformave blu. Ajo tha se e gjithë ngjarja ndodhi shumë shpejt, dhe se pas krimit, djali i saj ishte larguar me vrap.

Motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta, edhe pse policia tha se ndodhi pas një konflikti të çastit.