Arrestohet 36 vjeçari në Korçë, në shtëpi i gjejnë dhjetëra doza heroine

Policia e Korçës ka arrestuar sot një 36-vjeçar, të cilit iu gjetën në shtëpi dhjetëra doza heroine.

Mësohet se i riu quhet Emiljano Selima, ndërsa gjatë natës ishte duke e drejtuar makinën pa patur patentë.

36-vjeçari e shiste lëndën narkotike në lagjen 6 të qytetit, ndërsa mësohet se është i njohur për policinë pasi ka qenë i arrestuar më parë për vepra të ndryshme penale.

“Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore se ky shtetas ushtronte veprimtarinë e paligjshme të prodhimit e shitjes së narkotikëve, shërbimet e Policisë lokalizuan automjetin tip “Audi” me të cilin po lëvizte 36-vjeçari. Gjatë verifikimit të kryer rezultoi se shtetasi E. S. e drejtonte automjetin, pa leje drejtimi. Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike heroinë, e ndarë në dhjetëra doza, që dyshohet se sigurohej nga ky shtetas, me qëllim shitjen. Sasia e lëndës narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe 2 celularë”, thuhet në njoftim.