Armik me ish-deputetin e PS, del foto e “Leksit të Druve” që u arrestua në Milano, u shpëtoi 3 atentateve

Personi që shihni në foton e mësipërme është 47-vjeçari Aleks Ndreka, i arrestuar 3 ditë më parë në Milano të Italisë, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza”.

Ndreka, i njohur ndryshe si “Leksi i Druve” u arrestua me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë pasi GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij i akuzuar për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Aleks Ndreka u ka shpëtuar tre atentateve, më i fundit ishte nga ajri, ku kundërshtarët kanë tentuar ta eliminonin fizikisht përmes një droni, por nuk ia arritën dot.

Aleks Ndreka (Deda) është i njohur edhe me përplasjet me ish-deputetin e PS-së, Arben Ndoka, për të cilët thuhet se u pajtuan në kishë me ndërmjetësimin e Ardian Nikulajt, i cili u ekzekutua një vit më parë.

“47-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza”, pasi GjKKO, më datë 23.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Vijon bashkëpunimi me homologët në Itali, për të finalizuar ekstradimin e shtetasit Aleks Ndreka, në Shqipëri“, tha Policia e Shtetit në një njoftim për mediat.