Ambasada Britanike në Tiranë ka reaguar për kaosin në Parlament gjatë seancës së fundit plenare, e cila zgjati vetëm 5 minuta, por u miratua një nga ligjet më të rëndësishme, ai për projektbuxhetin e vitit 2024.
Në reagimin e saj, ambasada britanike thotë se shumica dhe opozita duhet të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve.
“Ambasada Britanike në Tiranë shpreh shqetësimin lidhur me zhvillimet më të fundit në Parlamentin e Shqipërisë. Një parlament që funksionon dhe dialogu konstruktiv mes përfaqësuesve të zgjedhur janë thelbësorë për të garantuar legjislacionin dhe shërbimet në mënyrë efektive. U bëjmë thirrje shumicës dhe opozitës të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve”, thuhet në reagimin e ambasadës.