Alibeaj akuzon: Pazar me Amnistinë Penale, do lironi të dënuarit nga GJKKO; Ministri Manja: Nuk do lirohet asnjë i korruptuar

Ka nisur me debate të forta seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ka akuzuar mazhorancën dhe rithemelimin se po bëjnë Pazar me Amnistinë Penale, duke liruar apo ulur dënimin e të dënuarve nga Gjykata e Posaçme.

Sipas tij, nga 4 amendamentet e Amnistisë, 3 prej tyre godasin drejtpërdrejt Prokurorinë e Posaçme që i ka çuar përpara drejtësisë këta ish-zyrtarë.

“Me amnistinë që po bëni gati të votoni sot në heshtje. Sot, do jepet vota për t’i ulur dënimin 1 vit e gjysmë burrave , dy viteve grave që janë dënuar nga drejtësia e re. Ky është testi i parë i hidhur i kësaj marrëveshje. Duhet të bëni transparencë duke e kthyer në Komisionin e Ligjeve.  Këto janë testet që po i merr ky Parlament në fund, nën frikën e humbjes së mandatit dhe sidomos nën frikën e SPAK. Nuk është gjë tjetër vetëm se amnisti nga SPAK-u. Shqiptarët duhet t’u ndëshkojnë nesër të gjithëve.  Janë katër amendamente, tre prej të cilave godasin SPAK-un drejtpërdrejt”, tha Alibeaj.

Por akuzave të Alibeajt i është përgjigjur ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili tha se i kërkoi Alibeajt që ta lexojë mirë projektligjin pasi nuk do të lirohet asnjë i dënuar nga GJKKO.

“Zoti Alibeaj mos bëni politikë me këtë çështje. Hapni sytë dhe lexojeni ligjin se jeni juristë. Asnjë i dënuar nga GJKKO nuk do të përfitojë. Madje janë depozitar dhe kërkesat e opozitës, për protestuesit, ata që kanë proceduar në këtë vend, që ndiqen penalisht nga drejtësia”, tha ai.