Albin Kurti përkujton masakrën e Srebenicës: Krimi çnjerëzor që Serbia akoma e mohon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar gjenocidin e 28 viteve më parë në Srebrenicë të Boshnjës. Në atë masakër u vranë mbi 8000 boshnjakë myslimanë, kryesisht burra e djem. Gjykata e Hagës ka vendosur që ky krim të quhet gjenocid.

Në një postim në ‘Twitter’, kreu i qeverisë së Kosovës shkruan se Serbia vazhdon të mohojë këtë krim çnjerëzor.

“Dita e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës mban në vetvete shumë tragjedi të patreguara – një ditë kur kujtojmë vrasjen e 8,372 njerëzve të pafajshëm dhe krimet e panumërta të përdhunimeve dhe torturave. Është gjithashtu një kujtesë se e vërteta e tyre nuk nderohet por mohohet nga Serbia, një krim çnjerëzor në vetvete”, ka shkruar Kurti në Twitter. 

Bosnja e Hercegovina kujton sot 28-vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Srebenica ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.