Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalës së tij në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian, që po mbahet në Mal të Zi, i bëri një kërkesë të fortë presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Albin Kurti i kërkoi Vuçiçit, që të dorëzojë në Kosovë, Milan Radoiçiç i cili njihet si organizatori i sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku.
“Marrëdhëniet e mira fqinjësore në rajonin tonë janë të domosdoshme. Kërkoj nga Serbia që ta dorëzojë Milan Radoiçiqin në Kosovë dhe gjithashtu dhe grupin e tij paramilitar që e kanë vrarë rreshterin tonë Afrim Bunjaku më 24 shtator”, tha Kurti.
Rikujtojmë se më 24 shtator të vitit të kaluar, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë, zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.
INTERPOL po ashtu ka lëshuar në dhjetor të vitit të kaluar një urdhër-arrest për Radoiçiçin, i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.