Në pjesën e parë të vitit 2025, tregu i shitblerjeve shënoi disa lëvizje të mëdha. Gjysma e dytë e vitit ka qenë më e qetë me grupet e mëdha që kanë vijuar ristrukturimin, duke kaluar aksionet nga individë në shoqëri, që zotërohen po nga vetë ata. Edhe pjesa e parë e vitit 2026 nuk ka shënuar lëvizje të mëdha.
Në janar 2025, 100% e aksioneve të shoqërisë mikrofinanciare NOA janë transferuar tek institucioni financiar konkurrent “Tranzit” (aksioner i vetëm i “Bankës Amerikane të Investimeve” – ABI Bank). Pronësia e kompanisë nga 100% e huaj u bë 100% shqiptare.
– Në fund të muajit mars 2025, kompania nga Kosova, “Viva Fresh Store”, njoftoi se ka arritur një marrëveshje për blerjen e “Spar Albania” nga grupi shqiptar BALFIN. Vlera finale e transaksionit ishte 36.4 milionë euro, sipas transaksionit të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Pas blerjes së “Spar Albania”, “Viva Fresh Store” vijoi me shpejtësi zgjerimin në tregun shqiptar. Në gusht 2026, Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar transaksionin e propozuar mbi përftimin e kontrollit të veprimtarisë ekonomike të rrjetit të marketeve “Eco Market” nga shoqëria “Spar Albania” sh.p.k. përmes blerjes së shoqërisë “D & D Distribution”.
Krahas rrjetit të supermarketeve “Eco Market”, “Spar Albania” bëri të ditur se ka blerë ndërkohë edhe hapësirat e rrjetit të marketeve të operatorit tjetër të përpunimit dhe tregtimit të produkteve të mishit, Kombinatit të Mishit Yzberisht (KMY).
“Spar Albania” ka blerë “Eco Market” të gjithin si rrjet, ndërsa ka nënshkruar dhe një marrëveshje me Kombinatin e Mishit Yzberisht për blerjen e marketeve me përmasa mbi 300 metra katror. Gjithsej janë blerë 16 markete tek ECO dhe 6 markete të KMY.
– Grupi BALFIN ka shitur në vitin 2025 edhe “Fashion Group Albania” te kompania me kapital nga Kosova, “Albi Holding”, për 7.6 milionë euro, sipas kontratës së depozituar në QKB.
– Në prill 2025 u finalizua marrëveshja e shitjes së fabrikës së prodhimit të birrës “Stela” te kompania “Eurolab Internacional Grup”, një nga më të mëdhatë në fushën e distribucionit.
– “DigitAlb”, platforma më e madhe me pagesë televizive në vend, ka pasur lëvizje të shumta të aksionerëve në pjesën e parë të vitit 2025. Trashëgimtarët ligjorë të themeluesit të saj, Dritan Hoxha, rritën pjesëmarrjen e saj në “DigitAlb” në 60.25% të aksioneve, duke përfituar shumicën vendimmarrëse në shoqëri. “Grupi Union” u largua nga shoqëria, duke shitur kuotat prej 16.8% të aksioneve.
– Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, në qershor 2025 është mbyllur transaksioni në bazë të të cilit “UNIQA Osterrich Versicherungen” ka shitur paketën prej 90% të aksioneve në shoqëri te “Sigal Business Center”, shoqëri e kontrolluar 100% nga Avni Ponari, themelues dhe aksioner pakice i “Sigal Uniqa Group Austria”.
Z. Ponari zotëronte në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe pjesën e mbetur prej 10% të aksioneve, ndërsa me blerjen e kuotave të “Uniqa” bëhet pronar i vetëm i kompanisë. “Sigal Business Center” është tashmë 100% aksionere edhe e “Sigal Life”.
– Sipërmarrësi Grigor Joti ka vijuar ristrukturimin strategjik të grupit “Investment Joti”, përmes të cilit ka reduktuar kompleksitetin e kompanive të grupit dhe rritur fokusin menaxherial.
Z. Joti thotë se në korrik 2025 ka nënshkruar kontratat e shitjes së kuotave të tij edhe në kompanitë “InfoSoft Systems” sh.p.k. në Kosovë dhe “InfoSoft Systems doo” në Maqedoninë e Veriut.
Kjo përmbyll këtë fazë të ristrukturimit strategjik të grupit. Në maj 2023, z. Joti u largua nga “InfoSoft Systems” në Shqipëri duke transferuar në favor të z. Armand Sharra 36.6% të kuotave. Tashmë “InfoSoft Systems” zotërohet 30% nga “TAG Engineering”, po në pronësi të Armand Sharrës, me 66.7% të kompanisë dhe 33.3% nga Bledar Dhima.
– Në qershor 2025, z. Petrit Shijaku, i cili zotëronte 33% të shoqërisë “Shijaku”, me aktivitet në ndërtim, është larguar nga kompania dhe ua ka dhuruar pjesën e tij dy vëllezërve, përkatësisht Shpëtim Shijakut me 15.67%, i cili ka rritur kuotat në 49%, dhe Bilbil Shijakut, 16.67%, i cili tashmë ka 51% të kuotave të kompanisë. Çmimi i shitjes, sipas kontratës, ishte 1.2 milionë euro.
– Në korrik 2025, ortaku Kujtim Kale, i cili zotëronte 50% të aksioneve të shoqërisë së tregtimit me shumicë të karburanteve, “RDA Petrol”, ka shitur kuotën e tij tek aksioneri tjetër Fation Veizaj, i cili tashmë zotëron 100% të kompanisë.
– Në fund të dhjetorit 2025, Elio Gabi ka hyrë si aksioner pakice në shoqërinë e tregtimit me shumicë të kompjuterëve ITD, pasi ka blerë për 11.1 milionë lekë, 4% të aksioneve nga “Investment Joti”.
Ky i fundit ka ulur përqindjen në kapital nga 88 në 84%. Pjesa tjetër e aksioneve prej 12% vijon të ndahet në mënyrë të barabartë nga Enkeleida Salillari dhe Rudenc Sina.
– Në korrik 2026, pronësia e shoqërisë së përpunimit të qumështit “ADG Lufra” ka kaluar nga z. Arben Ndreka te shoqëria “LF Holding”, e zotëruar po nga ai.
– Në korrik 2026, “BALFIN – Balkan Finance Investment Group” u bë aksioner i plotë i “I2I-145 Aircraft Maintenance”, pasi bleu 50% të aksioneve të shoqërisë sllovene “I2I-145”, me të cilën kishte hapur aktivitetin e shërbimit të mirëmbajtjes së avionëve në mars 2023.
Në gusht 2026, “Bolv Oil Group”, me aktivitet kryesor tregtimin e karburanteve, ka shitur 100% të aksioneve që zotëronte tek “Albdrilling”, që merrej me gërmime, shpime, nxjerrjen e naftës bruto te shoqëria “Izvor Group” për 6 milionë lekë, sipas kontratës së shitblerjes.
“Kastrati” vijon riorganizimin
Në dhjetor 2024, “Kastrati Group”, kompania më e madhe në vend sipas të ardhurave, me aktivitet kryesor tregtimin me shumicë të hidrokarbureve, ndryshoi emrin në “Kastrati Energy Trade”.
Në maj 2025, sipërmarrja kreu një riorganizim të aksioneve. Aksioneri 100% i kompanisë është shoqëria e re e krijuar në janar 2025 me emrin “Jonuz Kastrati”, (e emëruar sipas emrit të të atit të aksionerëve ekzistues).
Shoqëria “Jonuz Kastrati” zotërohet 65% nga kompania “Kastrati” sh.p.k, (në pronësi 100% të Shefqet Kastratit), 20% të Shefit Kastratit dhe nga 5% secili kanë Bilbil Kastrati, Selam Kastrati dhe Hajredin Kastrati.
Sipas dokumenteve të dorëzuara në QKB, ky proces riorganizimi i entiteteve në pronësi po bëhet për të optimizuar operacionet e tyre dhe për t’iu përgjigjur nevojave të zhvillimit strategjik të shoqërive, si dhe përmirësimin e efikasitetit operativ për të nxitur rritjen e investimeve afatgjata dhe përfitimet për ortakët e saj.
Të njëjtat shkëmbime janë bërë dhe për shoqërinë tjetër, “Kastrati” sh.p.k., me aktivitet tregtimin me pakicë të hidrokarbureve, e cila është riemërtuar “Kastrati Energy”.
Nga maji 2025 “Shoqëria Jonuz Kastrati” është aksionere 100% e “Kastrati Energy”. Gjatë pjesës së dytë të vitit 2025 ka vijuar kalimi i aksioneve te kompanitë e tjera të grupit te shoqëria “Jonuz Kastrati”.
Kalimi i stafetës
Shumë sipërmarrje vitet e fundit po kalojnë bizneset nga individët, në emër të shoqërive, që janë po në pronësi të tyre. Një lëvizje e tillë lidhet dhe me faktin që brezi i sipërmarrësve të parë të pas tranzicionit, që hapën bizneset në moshë të re në fillim të viteve ’90, tashmë kanë arritur moshën e pensionit.
Ndonëse shumë prej tyre vijojnë të jenë aktivë në sipërmarrje dhe drejtim, fëmijët e tyre tashmë janë rritur, shkolluar kryesisht jashtë vendit dhe pritet të marrin gradualisht drejtimin.
Ndryshimi nga biznes individual në shoqëri tregtare është një nga hapat që po përdoret nga shumë sipërmarrës për të formalizuar më tej aktivitetin dhe për të krijuar një strukturë më të përshtatshme për vazhdimësinë e biznesit.
Ky proces pritet të prekë një pjesë të konsiderueshme të bizneseve shqiptare, pasi shumica e kapitalit privat në vend vijon të kontrollohet nga sipërmarrësit që i krijuan kompanitë pas viteve ’90. Një analizë e mëparshme e “Monitor” mbi moshën e aksionerëve të kompanive më të mëdha shqiptare tregonte se pronësia e bizneseve dominohet nga grupmoshat më të mëdha.
Nga 710 aksionerë shqiptarë që zotërojnë të paktën 10% të aksioneve në kompanitë më të mëdha, rreth 67% janë mbi 51 vjeç. Grupi më i madh është ai i moshës 51–60 vjeç, me rreth 40% të aksionerëve, ndërsa 27% janë mbi 60 vjeç. Në krahun tjetër, përfaqësimi i brezit të ri është ende i kufizuar: vetëm 7.2% e aksionerëve janë deri në 35 vjeç.
Struktura e moshës së pronarëve tregon se një pjesë e madhe e kompanive shqiptare do të hyjnë në fazën e vendimmarrjes për trashëgiminë e biznesit.
Për shumë sipërmarrës të brezit të parë, sfida nuk është më vetëm zgjerimi i kompanisë, por mënyra se si do të transferohet kontrolli te fëmijët ose trashëgimtarët, pa humbur stabilitetin dhe vlerën e krijuar ndër vite.
Gjatë viteve të ardhshme pritet të ndodhë transferimi i madh i kapitalit nga gjenerata e parë e pronësisë tek e dyta.
Kalimi i drejtimit te brezi i dytë nuk nënkupton gjithmonë një transferim automatik të suksesshëm. Shpesh kompanitë familjare përballen me sfida që lidhen me përgatitjen e pasardhësve, ndarjen mes pronësisë dhe menaxhimit profesional, si dhe përshtatjen me modele të reja të organizimit.
Përvoja ndërkombëtare tregon se kalimi nga brezi i parë te brezi i dytë është një nga momentet më kritike për bizneset familjare. Studimet mbi trashëgiminë e bizneseve familjare tregojnë se vazhdimësia nuk varet vetëm nga transferimi i pronësisë, por edhe nga përgatitja e pasardhësve, profesionalizimi i menaxhimit dhe krijimi i strukturave të qarta të qeverisjes.
Një shembull është “Walmart”, i krijuar nga familja Walton, ku familja ka ruajtur pronësinë dhe ndikimin strategjik, ndërsa drejtimi ekzekutiv është kaluar gradualisht te menaxherë profesionistë. Kjo qasje i ka mundësuar kompanisë të ruajë identitetin familjar, ndërsa është zgjeruar në një nga kompanitë më të mëdha të shitjes me pakicë në botë, sipas “Forbes”.
Një rast tjetër është “Ford Motor Company”, ku kalimi mes brezave tregoi edhe vështirësitë e një tranzicioni të vonuar. Henry Ford mbajti për një kohë të gjatë kontrollin e drejtpërdrejtë të kompanisë, ndërsa mungesa e një plani të qartë pasardhësish krijoi tensione në drejtim.
Më pas, brezi i dytë dhe drejtues profesionistë ndihmuan në riorganizimin e kompanisë dhe përshtatjen me ndryshimet e tregut, sipas një rasti studimor nga “PFBI Case Studies”./Monitor