Hungaria ka rritur lindshmërinë, ka dyfishuar numrin e martesave dhe ka ulur ndjeshëm numrin e aborteve. Por ministri që ishte në krye të politikave kulturore të qeverisë së Viktor Orbánit përballet tani me akuza për shpërdorim fondesh.
Ministri polak i Shkencës, Dariusz Krzysztof Wieczorek, bisedon me Balázs Hankó, asokohe ministër hungarez i Kulturës dhe Inovacionit dhe president i Këshillit, përpara nisjes së një mbledhjeje të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së për kërkimin shkencor dhe hapësirën, më 29 nëntor 2024, në Bruksel, Belgjikë. Foto: Thierry Monasse/Getty Images.
Hungaria ka shënuar një rritje të lindshmërisë, nga 1,23 fëmijë për grua në 1,59. Numri i martesave është pothuajse dyfishuar, nga 35.520 në më shumë se 72.000. Ndërkohë, abortet kanë rënë nga 40.449 në më pak se 22.000.
Në tetor 2025, përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat u zgjerua për nënat me tre fëmijë, ndërsa në janar 2026 përfshiu edhe nënat nën 40 vjeç me dy fëmijë.
Sipas autorit të këtij shkrimi, asnjë vend tjetër evropian nuk paraqet shifra të tilla dhe asnjë vend tjetër nuk detyrohet të justifikojë rezultatet e arritura.
Ministri që drejtonte këtë portofol mbërriti në Asamblenë Kombëtare të Hungarisë më 28 shtator, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe katër fëmijët e tij. Balázs Hankó nuk kishte ardhur për të kërkuar mëshirë. Ai tha se do të qëndronte aty dhe do të priste prokurorët.
“Unë nuk do të iki dhe as do të fshihem”, deklaroi ai.
Prokurorët mbërritën po atë mbrëmje. Rreth orës 21:00, efektivë të njësisë së ndërhyrjes së autoritetit tatimor e ndaluan Hankón në një ndërtesë në rrugën Huszti, në Budapest, ku ai ishte paraqitur pas një thirrjeje zyrtare.
Më 29 shtator, Prokuroria e Përgjithshme e Qarkut Bács-Kiskun e mori në pyetje si person nën hetim për shpërdorim fondesh. Sipas akuzës, nga shtatori 2025 deri në mars 2026, Fondi Kombëtar i Kulturës, të cilin Hankó e drejtonte në cilësinë e ministrit, shpërndau 17,3 miliardë forinta, rreth 46 milionë euro, përmes 1.079 granteve, jashtë qëllimeve të përcaktuara me ligj.
Hankó ka apeluar si ndalimin, ashtu edhe akuzën. Më 30 shtator, prokurorët kërkuan caktimin e masës së paraburgimit, duke argumentuar se ekzistonte rreziku që ai të largohej. Një gjyqtar hetues në Kecskemét pritej të merrte vendim më 1 tetor.
Ai nuk ishte i vetmi që u përball me drejtësinë atë ditë. Miklós Seszták, ministër i Zhvillimit Kombëtar nga viti 2014 deri në vitin 2018, ishte ndaluar disa orë më parë. I njëjti hetim kishte çuar edhe në një kontroll në korrik në qendrën e të dhënave ku ruheshin serverët e partisë Fidesz, si dhe në arrestimin e ish-shefit të kabinetit të Hankós.
Por ajo që asnjë sallë gjyqi nuk do të shqyrtojë është kronologjia e ngjarjeve.
Kryeministri Péter Magyar kishte deklaruar muaj më parë se ku duhej të përfundonte Hankó: “Vendi i tij është në burg”.
Prokuroria, e cila më pas ndërmori veprimet kundër tij, nuk ka pasur një drejtues të konfirmuar që nga dorëheqja nën presion e paraardhësit, të ushtruar nga po ky kryeministër.
Kështu, sipas autorit, kreu i qeverisë përcakton destinacionin, një institucion që drejtohet përkohësisht e çon njeriun drejt tij dhe parlamenti kryen procedurat përkatëse brenda një paraditeje, pa asnjë votë kundër.
Në Bruksel, kjo kronologji nuk përbën as një shënim anësor.
Komisioni Evropian, i cili për vite me radhë kishte bllokuar fondet për Hungarinë për shkak të shqetësimeve mbi korrupsionin dhe sundimin e ligjit, e vlerësoi pozitivisht administratën e re vetëm pak javë pas formimit të saj.
Ursula von der Leyen përshëndeti reformat që i cilësoi si të vonuara prej kohësh dhe zhbllokoi 16,4 miliardë euro. Budapesti iu bashkua Prokurorisë Publike Evropiane, u rikthye në programin Erasmus dhe, më 23 shtator, Komisioni propozoi lirimin e 4,2 miliardë eurove të tjera nga fondet e kohezionit.
Megjithatë, sipas shkrimit, gjatë kësaj periudhe nuk u rindërtua asnjë strukturë institucionale në themel. Nuk u riorganizua sistemi gjyqësor dhe nuk u konfirmua asnjë drejtues i prokurorisë. Ndryshoi qeveria dhe kjo, sipas autorit, u trajtua si provë e mjaftueshme për përmbushjen e standardeve.
Një shtet i së drejtës që ndryshon vlerësim sapo ndërrohen njerëzit në pushtet, argumenton autori, nuk është më sundim i ligjit, por një sistem patronazhi. Dhe njerëzit që drejtojnë sot Hungarinë janë pikërisht ata që kaluan këtë provë.
Por akuza e vërtetë kundër Hankós, sipas autorit, nuk gjendet në asnjë kod penal hungarez. Ajo lidhet me normën e lindshmërisë, regjistrin e martesave dhe nënat që nuk paguajnë më tatim mbi të ardhurat.
Një kontinent që e trajton rënien e vet demografike si një fenomen natyror, shkruan autori, nuk e fal vendin e vogël që dëshmoi se kjo prirje mund të ndryshohet. Dhe nuk do të vajtojë ministrin që mbajti në qendër të politikave të tij këto shifra.
Hankó, farmacist, profesor dhe ish-zëvendësrektor i Universitetit Semmelweis, kishte deklaruar përpara arrestimit se parlamenti do t’ia hiqte imunitetin dhe se çështja kundër tij për Fondin Kombëtar të Kulturës ishte një akt “hakmarrjeje” për politikat kulturore të qeverive të Viktor Orbánit.
Që prej asaj kohe, sipas autorit, askush në Budapest, në asnjërën anë të sallës parlamentare, nuk është sjellë sikur Hankó të kishte gabuar në këtë vlerësim.