Mark Zuckerberg kishte folur vetëm tre minuta në fjalimin e tij në aktivitetin vjetor Meta Connect, muajin e kaluar, kur u ndal te një reflektim personal.
“Ndërtimi është një akt dashurie”, deklaroi ai. “Është mënyra se si përcjellim bindjet tona dhe investojmë zemrën e shpirtin në atë që krijojmë.”
Përpara qindra analistëve dhe zhvilluesve, drejtuesi i Meta-s prezantoi produktet më të reja të inteligjencës artificiale, përfshirë asistentin e ri Muse, syzet inteligjente dhe një pajisje të vogël, të ngjashme me lodrat Tamagotchi, që mund të mbahet në kyçin e dorës.
Megjithatë, gjatë prezantimit gati njëorësh, Zuckerberg nuk përmendi as Instagramin dhe as Facebook-un, dy platformat që e kanë ndihmuar kompaninë të arrijë një vlerë prej rreth 2 trilionë dollarësh.
Arsyeja mund të lidhet me problemet ligjore që kanë shoqëruar Meta-n gjatë vitit të fundit. Kompania akuzohet se ka projektuar qëllimisht produkte që krijojnë varësi te të rinjtë. Dokumente të brendshme, komunikime mes drejtuesve dhe dëshmi të sinjalizuesve janë përdorur nga avokatët dhe prokurorët në disa procese gjyqësore.
Reputacioni i Zuckerberg nuk është i mirë as në publik. Një sondazh i Qendrës Kërkimore Pew, vitin e kaluar, tregoi se dy të tretat e amerikanëve kishin një opinion negativ për të.
Filmi i ri The Social Reckoning, me aktorin Jeremy Strong në rolin e Zuckerberg, ka rikthyer në vëmendje akuzat se drejtuesit e Meta-s ishin në dijeni të dëmeve që produktet e tyre mund t’u shkaktonin të rinjve.
Disa kritikë e krahasojnë situatën me atë të industrisë së duhanit, duke argumentuar se kompanitë e rrjeteve sociale po përballen me një krizë të thellë besimi.
Skandalet vazhdojnë, por biznesi rritet
Pavarësisht kritikave dhe proceseve gjyqësore, Meta po vijon të rritet. Përdorimi i disa prej aplikacioneve të saj, përfshirë Instagramin dhe WhatsApp-in, është rritur me 3% krahasuar me një vit më parë, ndërsa të ardhurat për tremujorin e dytë të vitit janë rritur me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Në mars, një juri në Kaliforni i dha 6 milionë dollarë dëmshpërblim një 20-vjeçareje, e cila pretendonte se përdorimi i Instagramit dhe YouTube-it kishte ndikuar negativisht në shëndetin e saj mendor.
Në një tjetër çështje, në Nju Meksiko, Meta u gjobit me 942 milionë dollarë pasi një juri arriti në përfundimin se kompania nuk kishte paralajmëruar publikun për rreziqet që platformat e saj paraqesin për fëmijët. Meta ka kundërshtuar vendimet dhe ka deklaruar se do t’i apelojë.
Kompania ka arritur gjithashtu marrëveshje financiare në disa procese të tjera, përfshirë një marrëveshje prej 18 miliardë dollarësh me 48 shtete amerikane, Distriktin e Kolumbias dhe tri territore amerikane. Si pjesë e marrëveshjes, Meta premtoi kufizime të reja për përdorimin nga të rinjtë, përfshirë limite ditore dhe bllokime gjatë natës. Kompania nuk pranoi përgjegjësi për shkelje ligjore.
Megjithatë, këto zhvillime nuk e kanë dëmtuar ndjeshëm biznesin. Pas njoftimit të marrëveshjes, aksionet e Meta-s u rritën me 4%, ndërsa kompania vazhdoi të përfitonte nga të ardhurat e larta të reklamave.
Muse, sfida e re për besimin
Meta po përpiqet tani të zgjerohet në tregun e inteligjencës artificiale me asistentin Muse, i cili mund të kryejë detyra në disa hapa dhe të punojë për periudha të gjata, ndryshe nga chatbot-et që zakonisht përqendrohen në një detyrë të vetme.
Sipas raportimeve, aplikacioni mund të telefonojë në emër të përdoruesit, të porosisë ushqime dhe të organizojë shpenzimet në një tabelë. Brenda muajit të parë nga lançimi, ai kishte arritur më shumë se pesë milionë shkarkime dhe mbi tre milionë përdorues aktivë në javë.
Por për të funksionuar sa më mirë, Muse mund të kërkojë qasje në të dhëna tepër personale, si informacionet e kartave bankare, historikun e blerjeve dhe postën elektronike. Kjo ngre pikëpyetje për një kompani që është përballur prej vitesh me kritika për mënyrën se si trajton të dhënat personale, veçanërisht pas skandalit Cambridge Analytica.
Meta ka premtuar masa të avancuara sigurie, përfshirë një mjedis virtual të veçuar ku do të ruhen të dhënat e përdoruesve. Zuckerberg ka deklaruar se në të ardhmen as vetë Meta nuk do të jetë në gjendje t’i shohë disa prej këtyre informacioneve.
Megjithatë, kritikët paralajmërojnë se përdoruesit duhet të jenë të kujdesshëm përpara se t’i besojnë kompanisë të dhënat e tyre më të ndjeshme. Meta ka mohuar pretendimet se Muse mund të lexojë email-et pa miratimin e përdoruesve.
Kompania po investon gjithashtu në syzet inteligjente me inteligjencë artificiale, por edhe këto pajisje kanë ngjallur shqetësime për privatësinë, pasi mund të përdoren për të regjistruar njerëz pa dijeninë e tyre.
A mund ta mposhtë Meta krizën e besimit?
Ekspertët vlerësojnë se suksesi i Meta-s do të varet nga aftësia për të bindur përdoruesit se përfitimet e teknologjisë së saj janë më të mëdha se rreziqet për privatësinë.
Kompania ka raportuar të ardhura prej 60,8 miliardë dollarësh dhe fitim prej 15,9 miliardë dollarësh vetëm në tremujorin e dytë të vitit. Këto fitime i kanë dhënë mundësi të investojë shuma të mëdha në infrastrukturën e inteligjencës artificiale, pavarësisht kostove të larta dhe borxhit afatgjatë prej 83,7 miliardë dollarësh.
Për momentin, përdoruesit vazhdojnë të përdorin platformat e saj, edhe pse besimi te kompania mbetet i lëkundur.
Sfida e vërtetë për Zuckerberg-un është nëse Meta do të arrijë të bindë publikun t’i besojë jo vetëm për komunikimin dhe rrjetet sociale, por edhe për të dhënat personale që do t’i japë inteligjencës artificiale. Suksesi i produkteve të reja mund të varet pikërisht nga kjo.