Puthja e Endri Shabanit mbetet në fuqi, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PD-së për Avokatin e Popullit

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për të shpallur të pavlefshëm zgjedhjen e Endri Shabanit si Avokat i Popullit.

Në kërkesën e PD pretendohej se zgjedhja e Shabanit në këtë post ishte në kundërshtim me Kushtetutën.

Gjithçka filloi vitin e kaluar, me demokratët që ia dhanë vetë firmat Shabanit për të kandiduar, por u penduan në momentet e fundit, duke kërkuar që t’i tërhiqnin.

Por mazhoranca nuk e mori parasysh kërkesën e tyre, duke e votuar Endri Shabanin me 85 vota pro dhe duke e zgjedhur si Avokat të Popullit. Në seancën plenare, Shabani provokoi opozitën, duke i puthur nga larg.

Njoftimi i plotë

“Më datën 29.09.2026, Gjykata Kushtetuese (Gjykata) mori në shqyrtim, në seancë plenare dhe mbi bazë dokumentesh, çështjen me kërkues një grup prej 44 deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (Kuvendi), në cilësinë e subjektit kushtetues jo më pak se një e pesta e deputetëve (kërkuesi), me objekt verifikimin e zgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë në ushtrimin e funksioneve të Avokatit të Popullit, përfshirë verifikimin e procedurës së zgjedhjes së tij në detyrë, konstatimin e papajtueshmërisë së saj me Kushtetutën, si dhe shfuqizimin e vendimit nr. 111/2025, datë 11.12.2025, të Kuvendit “Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”.

Gjykata, bazuar në objektin e kërkesës, si dhe në natyrën dhe thelbin e pretendimeve të parashtruara nga kërkuesi, vuri fillimisht në diskutim çështjen e juridiksionit të saj për shqyrtimin e kësaj çështjeje.

Gjykata, bazuar në përmbajtjen e shkronjës “e” të pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës, vlerësoi, fillimisht, se Avokati i Popullit përfshihet në kategorinë e funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, sipas kësaj dispozite. Për rrjedhojë, edhe çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit të Avokatit të Popullit, si dhe verifikimin e zgjedhjes së tij, përfshihen në juridiksionin kushtetues.

Po në këndvështrim të vlerësimit të juridiksionit të saj, Gjykata, pasi mori në shqyrtim pretendimet e ngritura nga kërkuesi, vlerësoi se pretendimet për: i) nënshkrimet e 28 deputetëve mbështetës në një listë të vetme; ii) mënyrën e zbatimit të rregullit të brendshëm “një deputet mbështet vetëm një kandidat”; iii) interpretimin e nenit 72 të Rregullores së Kuvendit për tërheqjen nga rendi i ditës të projektvendimit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit; iv) ekzistencën e marrëveshjes politike mes shumicës dhe pakicës parlamentare, sipas së cilës Avokati i Popullit duhet të vijë si kandidat i pakicës parlamentare, nuk ngrenë ndonjë çështje të nivelit kushtetues.

Për sa i përket pretendimeve të tjera të kërkuesit për zgjedhshmërinë e Avokatit të Popullit, në kuptim të plotësimit të kritereve kushtetuese dhe për papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit, si dhe për verifikimin e zgjedhjes së tij, Gjykata vlerësoi se ato bëjnë pjesë në juridiksionin kushtetues dhe, ndaj, u ndal në vlerësimin e tyre në themel.

Në lidhje me pretendimin për mosplotësimin e kushtit të zgjedhshmërisë të parashikuar në pikën 2 të nenit 61 të Kushtetutës, sipas të cilit Avokati i Popullit duhet të ketë “njohuri dhe veprimtari të njohura në fushën e të drejtave të njeriut dhe të ligjit”, si dhe për hetimin nga Komisioni i Ligjeve në këtë drejtim, Gjykata arriti në përfundimin se Kuvendi, në zgjedhjet brenda procedurave parlamentare që përfshijnë vlerësime profesionale të kandidatëve për funksione kushtetuese, gëzon diskrecion, me kusht që të respektojë garancitë themelore procedurale dhe që procesi të mos ketë arbitraritet.

Bazuar në këtë standard, në rastin konkret, në procedurën e ndjekur nga Kuvendi, Gjykata nuk konstatoi cenim të garancive themelore procedurale apo arbitraritet.

Për sa i përket pretendimit për veprimtarinë politike të ushtruar nga kandidati për Avokat të Popullit, Gjykata konstatoi se, në parim, veprimtaria politike parashikohet nga Kushtetuta si shkak papajtueshmërie, që ndikon në ushtrimin e funksionit. Në rastin konkret, referuar momentit të betimit të Avokatit të Popullit në Kuvend, Gjykata vlerësoi se pretendimi i kërkuesit është i pabazuar.

Gjykata gjeti të pabazuar edhe pretendimin tjetër të kërkuesit për verifikimin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, për shkak të mungesës së mbështetjes së deputetëve në momentin e votimit të tij në seancë plenare.

Gjykata vëren, fillimisht, se kërkesa për mbështetjen (propozimin) e kandidatëve nga 28 deputetë nuk është një rregull i përcaktuar nga normat kushtetuese, por i parashikuar në Ligjin Organik të Avokatit të Popullit dhe në Rregulloren e Kuvendit.

Qëllimi i rregullit procedural për mbështetjen e kandidatëve nga deputetët është të sigurojë efektivitetin e procedurës parlamentare, në funksion të rezultatit të saj, dhe nuk është i lidhur me ushtrimin e funksionit ligjvënës nga Kuvendi.

Në rastin në shqyrtim, ky kusht ishte plotësuar në momentin e verifikimit nga Komisioni i Ligjeve të kandidaturave dhe kalimit të tyre për votim në seancë plenare. Në këtë mënyrë, procesi kishte sjellë pasoja konkrete, ndaj tërheqja e mbështetjes pas kalimit të kësaj faze nuk mund të sjellë më pasoja në procedurën vijuese parlamentare.

Në përfundim, Gjykata njëzëri vendosi rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”