Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur hetimet lidhur me çështjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pas kallëzimit penal të depozituar nga magjistratët për mosmarrjen e pagave të muajit gusht 2026.
Kallëzimi kërkon që organi i akuzës të verifikojë rrethanat që kanë çuar në moslikuidimin e pagave dhe të përcaktojë përgjegjësit për vendimmarrjen apo veprimet administrative që kanë sjellë këtë situatë.
Në fokus të hetimit pritet të jetë edhe mënyra se si është marrë dhe përcjellë vendimi që ka ndikuar në ekzekutimin e pagave. Në kallëzim janë përfshirë disa persona, mes tyre edhe ministri i Financave, Petrit Malaj.
Gjyqtarët argumentojnë se problematika nuk është individuale, por prek një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh në të gjithë vendin.
Përmes kallëzimit penal, kërkohet që SPAK të identifikojë përgjegjësit konkretë dhe të sqarojë nëse ka pasur veprime apo mosveprime që kanë sjellë mosekzekutimin e pagave.
Nisja e verifikimeve nga SPAK e vendos çështjen tashmë në një fazë hetimore, ndërsa pritet që organi i posaçëm i prokurorisë të mbledhë dokumentacionin dhe të sqarojë rrethanat që kanë shoqëruar problematikën e pagave të magjistratëve.