Bordi i Shoqatës Evropiane të Gjyqtarëve (EAJ) ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Shqipëri për sistemin e pagave të gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të gjykatave.
Në një qëndrim të fundit, EAJ shpreh shqetësim për mënyrën se si po trajtohet zbatimi i Vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se udhëzimet e përcaktuara nga gjykata nuk janë reflektuar në praktikë.
Sipas shoqatës, shqetësimi lidhet edhe me një projektligj të depozituar në Kuvend, i cili parashikon rillogaritje retroaktive të pagave. EAJ argumenton se një ndërhyrje e tillë mund të ndikojë në efektet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe në karakterin e tij detyrues.
Shoqata evropiane thekson se zbatimi i vendimeve gjyqësore përbën një nga shtyllat e shtetit të së drejtës. Në këtë kuadër, sipas EAJ, vendimet e gjykatave kushtetuese duhet të respektohen nga të gjitha institucionet dhe autoritetet publike.
EAJ paralajmëron se situata mund të ketë pasoja për pavarësinë e gjyqësorit, ndarjen e pushteteve dhe besimin në procesin e reformimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Shoqata ka bërë të ditur se do të vijojë mbështetjen për Unionin e Gjyqtarëve të Shqipërisë, i cili është anëtar i EAJ. Çështja pritet të diskutohet edhe në Asamblenë e Përgjithshme të shoqatës, e planifikuar të zhvillohet në tetor në Lisbonë.
EAJ deklaron se do të informojë edhe institucionet dhe aktorët ndërkombëtarë e evropianë për zhvillimet lidhur me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.