Imuniteti i Ballukut, Bardhi: Edhe sa vila duhet t’i zbulohen që SPAK t’i bindet ligjit dhe jo “Aleancës së Valamarit”?

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe akuzave të reja nga Prokuroria e Posaçme.

Bardhi thotë se edhe pse kanë kaluar 5 ditë që kur SPAK ka marrë të pandehur Ballukun për 3 akuza të reja, në Kuvend nuk ka ardhur kërkesa për të hequr imunitetin si deputete.

Bardhi hedh akuza ndaj SPAK duke thënë se po bëhet pjesë e lojës politike duke i dhënë kohë Ramës për manovra politike.

REAGIMI I KRYETARIT TE GRUPIT PARLAMENTAR TE PARTISE DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI

Kanë kaluar 5 ditë që kur SPAK njoftoi se Belinda Balluku është marrë e pandehur edhe për tre akuza të reja, por në Kuvend ende nuk ka mbërritur asnjë kërkesë e re nga SPAK për heqjen e imunitetit për arrestimin e saj. Mbi ish-zv/kryeministren rëndojnë akuzat më të rënda për një zyrtar të lartë: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie, të cilat i shtohen akuzës së parë për shkelje të barazisë në 8 procedura prokurimi me vlerë 1.2 miliardë euro.

Provat e reja faktojnë zbulimin e dy vilave të fshehura të Belinda Ballukut në dy prej resorteve më luksoze në bregdet. Kemi parë edhe sesi shijet e zonjës Balluku për mermerin blu në vilën e Palasës konkurronin me shijet e arkitektëve për stilin dhe materialet high-end, si të jahteve apo hoteleve më luksoze. Të gjitha këto ndodhen në email-in personal të Belinda Ballukut.

Pra, akuzat janë rënduar, pozita penale e Belinda Ballukut po ashtu, por SPAK po hesht për rëndimin e masës së sigurimit. Një standard që e pranoi dhe e zbatoi në dhjetor drejtuesi i SPAK-ut, Klodian Braho.

Pse SPAK bëhet pjesë e lojës politike dhe po i jep kohë Edi Ramës për manovra politike?

Edhe sa vila duhet t’i zbulohen Belinda Ballukut që SPAK t’i bindet ligjit dhe jo “Aleancës së Valamarit”?