Evropa është e papërgatitur për një fitore të SHBA-së në Iran

Brussels-Signal– Udhëheqësit evropianë me siguri po pyesin veten se cili është synimi përfundimtar i Presidentit Donald Trump në Iran. Lufta duket se ka hyrë në një ngërç gjashtë muaj pas nisjes së saj, më 28 shkurt, ndërsa SHBA-ja duket se nuk ka arritur ta detyrojë regjimin islamik të nënshtrohet ndaj vullnetit të saj.

Në këto rrethana, ekzistojnë vetëm dy përfundime logjike: një ngërç i vazhdueshëm, i shoqëruar me çmime të larta dhe mungesë të naftës e gazit natyror, ose një dorëzim de facto i SHBA-së, i cili do ta linte Iranin me materialet bërthamore dhe në gjendje të bllokonte Ngushticën e Hormuzit sa herë që ta dëshironte.

Të dyja këto skenarë janë të këqij për vendet e Bashkimit Evropian. Megjithatë, udhëheqësit evropianë duhet të marrin në konsideratë mundësinë që Trump të ketë në mendje një rezultat të tretë, që në pamje të parë duket i palogjikshëm: fitoren.

Evropianët janë krejtësisht të papërgatitur për atë që një fitore ushtarake amerikane do të nënkuptonte, si për ekonominë globale, ashtu edhe për aleancën ushtarake perëndimore.

Trumpi është i paqëndrueshëm, por aspak i paparashikueshëm. Retorika e tij kalon në mënyrë dramatike nga deklaratat bombastike te lavdërimet e tepruara, pa dhënë publikisht asnjë shenjë se e ka ndryshuar qëndrimin. Edhe taktikat e tij ndryshojnë shpesh, ndonjëherë në dukje sipas një tekë të çastit.

Të dyja këto prirje kanë krijuar idenë se Trumpi mund të bindet të heqë dorë nga disa objektiva, ose mund të detyrohet të “tërhiqet” kur kostoja bëhet shumë e lartë.

Por ky përfundim e keqkupton thelbësisht mënyrën se si funksionon Trumpi. Për të, taktikat dhe fjalët janë thjesht mjete për të arritur një qëllim. Pasi vendos të ndjekë një objektiv, ai mbetet kokëfortësisht i përkushtuar ndaj tij, pavarësisht pasojave.

Besimi i tij se tarifat doganore do të sjellin riindustrializimin e SHBA-së mbetet një objektiv madhor, pavarësisht se sa këshilltarë, aleatë amerikanë apo tregje globale i thonë të heqë dorë. Ai ndryshon bazën ligjore mbi të cilën mund t’i vendosë tarifat dhe ndryshon masën e tyre, por vazhdon të ndjekë të njëjtin objektiv themelor: rindërtimin e rendit global tregtar, të cilin prej kohësh ka deklaruar se dëshiron.

Bindjet e Trumpit për Iranin janë edhe më të thella se ato për tarifat. Për dekada ai ka argumentuar se Irani nuk mund të lejohet të sigurojë armë bërthamore. Trumpi ka ndjekur mënyra të ndryshme për ta arritur këtë qëllim, por nuk ka hequr dorë kurrë prej tij.

Nuk ka arsye të mendohet se do ta bëjë këtë tani. Madje, mund të argumentohet se fakti që ka hyrë në luftë për ta realizuar këtë objektiv e bën edhe më pak të mundshme që të heqë dorë prej tij.

Trumpi vazhdon ta përsërisë se ky është objektivi i tij kryesor ndaj Iranit. Më 17 gusht, ai shkroi në Truth Social:

“Qëllimi numër një është dhe do të jetë gjithmonë që Irani të mos ketë, në asnjë mënyrë, formë apo rrethanë, një armë bërthamore.”

Kjo është një deklaratë mjaft e qartë për synimet e tij në këtë luftë.

Sfida e Trumpit buron nga fakti gjithnjë e më i dukshëm se zotërimi i armëve bërthamore është një objektiv themelor dhe një shtyllë e regjimit revolucionar islamik të Iranit.

Vrasja e liderit suprem Ali Khamenei dhe e dhjetëra zyrtarëve të tjerë të lartë në sulmin fillestar të luftës, nëse ka ndikuar diçka, vetëm sa e ka forcuar këtë vendosmëri.

Trumpi dëshiron që udhëheqësit iranianë të kuptojnë arsyen dhe të heqin dorë nga materialet bërthamore dhe kapacitetet e pasurimit, në këmbim të rikthimit në ekonominë globale. Por, në vend të kësaj, ai po konstaton se ata preferojnë luftën dhe shkatërrimin sesa një angazhim fitimprurës me Perëndimin.

Kjo përfundimisht do ta detyrojë Trumpin të përshkallëzojë konfliktin në vend që të dorëzohet. Me fjalë të tjera, herët a vonë ai do të duhet të kërkojë fitoren, në vend që të vazhdojë të shpresojë se diçka më pak se fitorja mund t’i japë atë që dëshiron.

Trumpi është me siguri mjaftueshëm i zgjuar për të mos e përshkallëzuar në mënyrë dramatike luftën menjëherë. Presidentët amerikanë nuk nisin luftëra të reja në prag të zgjedhjeve. Ushtria amerikane gjithashtu ka nevojë për kohë për të rindërtuar një pjesë të rezervave të saj të armëve të sofistikuara dhe për të pasur më shumë aeroplanmbajtëse në dispozicion për t’u përballur me kërcënime të mundshme diku tjetër. Kjo nuk pritet të ndodhë deri më vonë këtë vit.

Gjithashtu, ushtrisë amerikane ka të ngjarë t’i duhet kohë për të sjellë në mënyrë të fshehtë në rajon llojet e trupave tokësore që do t’i nevojiteshin për të pushtuar dhe mbajtur territorin e domosdoshëm për të fituar luftën.

Mund të imagjinohet që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili përballet me elektoratin e tij më 27 tetor, të ndërmarrë sulme të tjera përpara kësaj date për të dobësuar mbrojtjen e Iranit. SHBA-ja, megjithatë, është i vetmi vend që mund të japë goditjen vendimtare dhe Trumpi ka gjasa të dëshirojë t’i ketë të gjitha në vend përpara se ta bëjë këtë.

Kostoja e fitores

Ndjekja e fitores do të ketë kostot e saj.

Një përshkallëzim dramatik i projektuar për të fituar luftën do të çonte me siguri në rritje të çmimeve të naftës, pasi Irani do të përdorte raketat dhe dronët e mbetur për t’u shkaktuar sa më shumë dëme aleatëve të SHBA-së.

Kjo do t’i vendoste gjithashtu aleatët evropianë dhe aziatikë në një pozitë të vështirë politike, pasi opinioni i brendshëm publik do të pyeste pse ata vazhdojnë të mbështesin një aleat që vepron kaq lirshëm përballë së drejtës ndërkombëtare.

Situata mund të bëhet edhe më e ndërlikuar në varësi të mënyrës se si Kina, Rusia ose Koreja e Veriut do të reagonin ndaj mundësisë së humbjes së aleatit të tyre në Lindjen e Mesme.

Edhe një fitore në luftë mund t’u shkaktonte probleme udhëheqësve evropianë. Trumpi do të ndjehej me siguri edhe më i fuqizuar pas një fitoreje dhe mund të kërkonte vende të tjera që, sipas tij, duhet të “vihen në rresht”.

Grenlanda është një kandidat i dukshëm për këtë, por opinioni publik amerikan — madje edhe republikanët e MAGA-s nuk mendojnë se duhet pushtuar territori danez — do të thotë se Kuba mund të jetë një objektiv më i lehtë.

Si do të reagonin udhëheqësit evropianë nëse një fitore në Iran do të pasohej nga një ultimatum ndaj regjimit komunist në vështirësi të Kubës?

Po nëse Trumpi vendos se e vetmja mënyrë për të ndaluar kartelet e drogës është dërgimi i ushtrisë amerikane në Meksikë për të luftuar atje?

A do të dëshironin elektoratet evropiane të vazhdonin të mbështeteshin te SHBA-ja për mbrojtjen e tyre? Dhe a do të përpiqeshin udhëheqësit e tyre t’i bindnin?

Çfarë mund të ndodhë në Lindjen e Mesme?

Pastaj është edhe pyetja se çfarë mund të ndodhë në Lindjen e Mesme nëse Trumpi fiton.

Mënyra më e rrezikshme, por edhe më e sigurt për ta mposhtur Iranin, do të ishte marrja nën kontroll e terminalit të tij të naftës në ishullin Kharg. Irani eksporton rreth 90% të naftës së tij përmes këtij terminali dhe ekonomia e vendit nuk do të mund t’i mbijetonte humbjes së tij.

SHBA-ja mund ta mbajë ishullin nën kontroll derisa Irani të heqë dorë plotësisht nga programi i tij bërthamor.

Trumpi kërcënoi se do ta bënte pikërisht këtë më 11 qershor, kur tha se forcat amerikane do të merrnin kontrollin e ishullit Kharg dhe të pikave të tjera të infrastrukturës së naftës. Megjithatë, disa orë më vonë ai i anuloi sulmet.

Nuk është aspak e qartë nëse Trumpi do të dëshironte ta kthente ishullin edhe pasi Irani të përmbushte kërkesat amerikane. Mbajtja e trupave amerikane atje edhe pas përmbushjes së kushteve nga Irani do të shërbente si garanci kundër një rikthimi të politikave të mëparshme nga Teherani.

Trumpi tashmë po përpiqet, në praktikë, të marrë kontrollin de facto mbi rezervat e naftës së Venezuelës. Mbajtja e Khargut do ta vendoste atë në kontroll edhe të rezervave të naftës së Iranit dhe do t’u dërgonte një sinjal të qartë vendeve të tjera të Gjirit: ose ndiqni linjën amerikane, ose përballuni me pasojat.

Libri i ri i gazetarëve të The New York Times, Maggie Haberman dhe Jonathan Swan, mbi vitin e parë të Trumpit pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Regime Change, përmban një episod domethënës.

Autorët raportojnë se Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, ishte mahnitur nga “prirja e jashtëzakonshme e Trumpit për të marrë rreziqe”.

Përshkallëzimi i luftës në Iran në kërkim të fitores do të ishte jashtëzakonisht i rrezikshëm.

Evropa duhet të fillojë të përgatitet që tani për pasojat — nëse, ose më saktë kur, Trumpi vendos ta bëjë këtë.