Reporterët pa Kufij dënojnë sjelljen e Erion Braçes ndaj gazetarit Marsel Rupi

Organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij (RSF) ka reaguar pas incidentit të ndodhur një ditë më parë jashtë Kuvendit, ku deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, shtyu gazetarin e News24, Marsel Rupi, gjatë një përpjekjeje të këtij të fundit për t’i drejtuar pyetje.

Përmes një reagimi publik, RSF shprehu mbështetjen për gazetarin Marsel Rupi, duke dënuar sjelljen e deputetit. Organizata thekson se Rupi u shty dhe u ofendua verbalisht ndërsa po ushtronte detyrën e tij si gazetar.

“RSF qëndron në mbështetje të gazetarit të News24 Albania, Marsel Rupi, i cili u shty dhe u fye verbalisht dje nga deputeti i Partisë Socialiste në pushtet, Erion Braçe, ndërsa Rupi po përpiqej t’i bënte pyetje jashtë Parlamentit. Prekja me duar dhe ushtrimi i dhunës ndaj gazetarëve është krejtësisht e papranueshme, po aq sa edhe fyerja e tyre për faktin se kërkojnë t’i mbajnë në përgjegjësi ata që ushtrojnë pushtetin”, thuhet në reagimin e RFS.