Çështja e pronave në Rrjoll u bë pjesë e diskutimeve në Komisionin Parlamentar për Nismat Qytetare, ku deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, i kërkoi kreut të SPAK, Klodian Braho, sqarime për mungesën e hetimeve lidhur me pretendimet e banorëve për tjetërsim pronash.
Kapri tha se banorët kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik nga sipërmarrësi Bashkim Ulaj, duke pretenduar se pronat e tyre janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme. Sipas tij, rasti paraqet ngjashmëri me dosjen e Zvërnecit dhe meriton të hetohet nga Prokuroria e Posaçme.
Në përgjigje, Braho refuzoi të komentojë një çështje konkrete, duke theksuar se SPAK vepron vetëm mbi bazën e kompetencave që i jep ligji dhe jo mbi kërkesat e palëve të interesuara.
Ai sqaroi se vendimmarrja për nisjen e një hetimi lidhet me faktet dhe elementët ligjorë që paraqiten në një çështje, ndërsa personat që nuk pajtohen me veprimet ose mosveprimet e institucioneve kanë të drejtë të ndjekin procedurat ligjore të parashikuara.
Banorët e zonës kanë shprehur publikisht kundërshtimin ndaj projektit turistik, duke pretenduar se pronat e tyre janë tjetërsuar në mënyrë të padrejtë dhe duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve të drejtësisë.