Braho për dosjen “Aruba”: Kur të përfundojnë hetimet, do të bëjmë transparencë

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodian Braho, deklaroi se dosja e njohur si “Aruba” do të bëhet publike vetëm pasi të kenë përfunduar hetimet.

Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Braho iu përgjigj interesimit të deputetit demokrat Ivi Kaso, i cili kërkoi që SPAK të zbulojë emrat e zyrtarëve të lartë shqiptarë që, sipas pretendimeve, janë takuar në Aruba me persona të lidhur me krimin e organizuar.

Kaso ngriti shqetësimin për rrjedhjen e informacionit nga dosja dhe pyeti nëse SPAK ka detyrimin të informojë opinionin publik për identitetin e politikanëve të përfshirë në këto takime, pavarësisht nëse bëhet fjalë për përfaqësues të mazhorancës apo opozitës.

Në përgjigjen e tij, Braho theksoi se çështja është ende në fazën e hetimit dhe se çdo provë që administron SPAK verifikohet.

“Është një çështje nën hetim. Nuk mund të ndodhë në SPAK që një provë të mbetet në dosje pa u hetuar. Mund të ketë opinione apo hamendësime, por ne nuk i komentojmë. Kur hetimet të përfundojnë, institucioni do të bëjë transparencën e nevojshme”, u shpreh kreu i SPAK.

Braho shtoi se Prokuroria e Posaçme nuk komenton deklaratat apo debatet politike të asnjë pale, duke theksuar se institucioni do të flasë vetëm mbi bazën e rezultateve të hetimit.