Apeli vulos dënimin për Mario Përlleshajn, mbetet në fuqi 16 vite burg për vrasjen e Martin Canit

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për Mario Përlleshajn, duke konfirmuar dënimin me 16 vite burg për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani.

Me vendimin e shpallur, trupa gjykuese nuk pranoi ndryshimin e masës së dënimit, duke e lënë në fuqi dënimin e dhënë më herët nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Përlleshaj u shpall fajtor në dhjetor të vitit 2025 për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj Martin Canit, si edhe për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese, e mbetur në tentativë” ndaj një të mituri tjetër, i cili mbeti i plagosur gjatë të njëjtës ngjarje.

Ngjarja e rëndë ndodhi në nëntor të vitit 2024 pranë një shkolle në Tiranë, pas një konflikti mes të miturve që përfundoi me humbjen e jetës së 14-vjeçarit Martin Cani. Pas incidentit, Mario Përlleshaj u arrestua dhe ndaj tij nisi procedimi penal për akuzat që më pas çuan në shpalljen e tij fajtor.

Vendimi i Apelit konfirmon përfundimisht, në këtë shkallë gjykimi, dënimin me 16 vite burg të dhënë ndaj Përlleshajt.