Granit Pepnikaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar këtë të premte gjatë një operacioni të zhvilluar nga Policia e Vlorës në bashkëpunim me Forcën Operacionale, në një resort në Dhërmi.
Pamjet e operacionit tregojnë momentin kur efektivët rrethojnë vilën luksoze ku po qëndronte Pepnikaj, teksa ai është dorëzuar pa bërë rezistencë, ndërsa është shoqëruar menjëherë nga forcat e policisë.
Pepnikaj ishte në kërkim që prej muajit maj 2026, pasi ndaj tij Gjykata e Tiranës kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, nën dyshimet për mashtrim kompjuterik dhe pastrim parash.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vilën ku u kap i shumëkërkuari, policia sekuestroi një armë zjarri pistoletë, si dhe një sasi lënde narkotike të dyshuar si cannabis sativa.
Njoftimi i Policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Rrjetet”.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas ndjekjes me metoda proaktive të veprimtarisë kriminale.
Kapen në Drimadhë dy shtetas të shumëkërkuar, të shpallur në kërkim për mashtrim kompjuterik, të dyshuar për përfitimin e shumave të mëdha monetare nëpërmjet skemave të call center-ave.
Vihet në pranga edhe një shtetas për përkrahje të autorit të krimit.
Gjatë kontrollit në vilën ku qëndronin u sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar cannabis sativa.
Si rezultat i ndjekjes me metoda proaktive të veprimtarisë kriminale, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Rrjetet”.
Në kuadër të këtij operacioni, mesditën e sotme, në zonën e Drimadhës, u kapën shtetasit G. P., 29 vjeç, dhe Xh. H., 31 vjeç, të shpallur në kërkim.
Shtetasi G. P., 29 vjeç, kërkohej pasi, me vendim të datës 30.04.2026, Gjykata e Tiranës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Shtetasi Xh. H., 31 vjeç, kërkohej pasi, me vendim të datës 13.04.2026, Gjykata e Tiranës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vilën ku qëndronin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, si dhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar cannabis sativa.
Në momentin e arrestimit të këtyre shtetasve u kap dhe u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, shtetasi R. R., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.