Të paktën 3.700 vdekje shtesë janë regjistruar në Francë, Belgjikë dhe Holandë gjatë valës së të nxehtit në fund të muajit qershor, e cila solli temperatura ekstreme në mbarë Evropën. Autoritetet paralajmërojnë se bëhet fjalë për të dhëna paraprake dhe se bilanci mund të rritet.
Sipas ekspertëve, vala e të nxehtit, që zgjati nga rreth 20 deri më 28 qershor, ishte ndër më të ashprat e regjistruara ndonjëherë në Evropë. Temperaturat rekord shkaktuan ndërprerje në prodhimin e energjisë, dëmtuan infrastrukturën dhe vendosën nën presion të madh sistemet shëndetësore. Shkencëtarët vlerësojnë se fenomeni u ndikua pothuajse me siguri nga ndryshimet klimatike.
Në Francë u regjistruan 2.025 vdekje shtesë gjatë kësaj periudhe, me një rritje të ndjeshme të viktimave te personat mbi moshën 45 vjeç. Ministrja franceze e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, deklaroi se numri i vdekjeve në banesa u rrit me 91% gjatë periudhës 22-28 qershor, krahasuar me javën pararendëse. Gjithashtu, u vu re rritje e vdekjeve edhe në shtëpitë e të moshuarve dhe institucionet shëndetësore.
Autoriteti francez i Shëndetit Publik paralajmëroi se numri përfundimtar i viktimave pritet të jetë edhe më i lartë se shifrat fillestare.
Në Belgjikë, Ministria e Shëndetësisë raportoi rreth 1.200 vdekje shtesë nga 18 deri më 29 qershor. Prej tyre, 530 ishin persona të moshës 85 vjeç e lart, ndërsa 180 viktima ishin nën moshën 65 vjeç.
Ministria belge e cilësoi këtë nivel të vdekshmërisë si “të paprecedent” për një valë të nxehti në vend.
Ndërkohë, autoritetet në Holandë njoftuan se vala e të nxehtit shkaktoi rreth 480 vdekje shtesë, kryesisht te personat mbi moshën 80 vjeç.