Marjana Koçeku “thumbon” Ramën në Financial Times: Po protestojmë se shqiptarët nuk duan më të largohen

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e njohur për publikun edhe si “Neomalsorja”, ka dhënë një intervistë për prestigjiozen britanike Financial Times, ku kritikon qasjen e qeverisë Rama ndaj zhvillimit të vendit dhe e lidh valën e protestave që kanë hyrë në ditën e 34-rt me një ndryshim të madh në mentalitetin e të rinjve shqiptarë.

Sipas saj, protestat kanë nxjerrë në pah një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si brezi i ri e sheh të ardhmen e vendit.

Financial Times sjell në vëmendje edhe reagimin e Parlamentit Europian, i cili në mesin e muajit qershor bëri thirrje për një moratorium mbi të gjitha punimet dhe lejet e reja të ndërtimit në zonat e mbrojtura të Shqipërisë.

“Prindërit tanë na rritën me idenë se lumturia qëndron përtej kufijve, por protestat po tregojnë se shqiptarët po e shohin tokën e tyre si një vend për të jetuar, në vend të një vendi për t’u larguar”, deklaron Koçeku për Financial Times.

Deputetja thekson gjithashtu se shumë pjesëtarë të diasporës janë rikthyer në Shqipëri për t’iu bashkuar protestave, duke e konsideruar këtë si një shenjë të angazhimit në rritje për çështjet publike dhe mbrojtjen e territorit.

Financial Times kujton se muajin e kaluar Koçeku u largua nga Partia Socialiste për shkak të kundërshtimit të projektit në vijën bregdetare të Zvërnecit, duke u bërë e vetmja deputete e pavarur në Kuvend. Sipas artikullit, pas këtij vendimi ajo ka marrë edhe kërcënime.

Artikulli:

“Pas shpërthimit të protestave në Tiranë , duket se punimet janë ndalur. Javën e kaluar në vend nuk ishin të dukshëm kamionë, materiale apo punëtorë ndërtimi dhe gardhi i ri ishte hequr.

Parlamenti Europian, i cili ka të drejtë fjale në kërkesën e anëtarësimit të Shqipërisë, në mesin e qershorit bëri thirrje për një moratorium mbi të gjitha punimet dhe lejet e reja të ndërtimit në zonat e mbrojtura të vendit dhe kërkoi që amendamenti ‘me pesë yje’ të shfuqizohet.

Për Marjana Koçekun, një ligjvënëse 25-vjeçare në Tiranë, protestat tregojnë një ndryshim në mënyrën se si të rinjtë shqiptarë e shohin vendin e tyre.

Shqipëria përjetoi emigracion masiv pas përfundimit të sundimit komunist në vitin 1991, por ky fluks po fillon të ngadalësohet. Shumë anëtarë të diasporës u kthyen gjithashtu në Tiranë për demonstratat, tha Koçeku.

“Prindërit tanë na rritën me idenë se lumturia qëndron përtej kufijve, por protestat po tregojnë se shqiptarët po e shohin tokën e tyre si një vend për të jetuar, në vend të një vendi për t’u larguar”

Jeta e Koçekut pasqyron këtë ndryshim. E rritur në një fshat malor të izoluar në veri të Shqipërisë, ku mund të shkohet vetëm me varkë, ajo u nis për në Itali për të studiuar. Por ajo u kthye në Shqipëri për të zhvilluar një projekt turizmi të qëndrueshëm në shtëpinë e familjes së saj përpara se të hynte në politikë.

Muajin e kaluar, ajo u largua nga partia qeverisëse e Ramës për shkak të projektit të vijës bregdetare të Zvërnecit, duke u bërë e vetmja deputete e pavarur në parlamentin e Shqipërisë. Që atëherë ajo ka marrë kërcënime”, shkruhet në artikull.

Prej më shumë se një muaji Shqipëria është përfshirë nga protesta masive antiqeveritare që nisën pas dhunës së ushtruar ndaj një qytetari në Zvërnec të Vlorës, pas protestave në këtë zonë kundër ndërtimeve.
Ngjarjen e pasuan protesta të mëdha, të cilat që nga fundi i majit vijojnë çdo ditë para Kryeministrisë.
Përveç protestave, ka pasur edhe eksponentë nga brenda Partisë Socialiste, që tashmë janë bashkuar me protestuesit, një ndër to është edhe deputetja Marjana Koçeku e njohur për publikun si “Neomalsorja”.