Rutte takon Trumpin për të zbutur tensionet para samitit të NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, po takohet të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin amerikan Donald Trump për të adresuar pakënaqësinë e këtij të fundit ndaj aleatëve evropianë, për shkak të refuzimit të tyre për t’iu bashkuar luftës kundër Iranit.

Ndërsa samiti vendimtar i liderëve të NATO-s po afrohet në korrik, burime i thanë Euronews se Rutte do të përpiqet të bindë Trumpin me një qasje pajtuese, duke sjellë të dhëna mbi nivelin rekord të shpenzimeve për mbrojtjen në të gjithë aleancën, si përgjigje ndaj kërkesave të vazhdueshme të Trumpit që vendet evropiane të paguajnë më shumë për sigurinë e tyre.

Ai pritet të vërë në dukje edhe ndikimin pozitiv në tregun amerikan të punës, ndërsa prodhimi ushtarak po rritet për të përmbushur kërkesën e re nga Evropa dhe Kanadaja.

“Grafikët do të jenë të shkruar me germa të mëdha, të arta dhe të kuqe, dhe do t’i tregojnë Trumpit se sa lider i madh është ai”, tha një burim. “Rutte do t’i tregojë Trumpit se si ndikimi i tij në NATO ka çuar në arritjen e 1 trilion dollarëve shpenzime të përgjithshme nga aleatët.”

Rutte është tashmë i njohur për përdorimin e lajkatimit për ta mbajtur Trumpin në anën e tij. Në samitin e vitit të kaluar, ai u bë i famshëm për faktin se iu referua Trumpit si “babi”, në kontekstin e mënyrës se si Trump menaxhonte konfliktin në Lindjen e Mesme.

Në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel javën e kaluar, Rutte deklaroi se aleatët evropianë dhe Kanadaja kanë shpenzuar së bashku shuma historike të reja për mbrojtjen.

“Aleatët evropianë dhe Kanadaja po rrisin ndjeshëm kontributin e tyre, me rritje rekord vitin e kaluar — mbi 90 miliardë dollarë më shumë në terma realë krahasuar me një vit më parë”, u tha ai gazetarëve në një konferencë për shtyp në selinë e NATO-s.

“Kjo është e jashtëzakonshme”, tha ai, duke pranuar megjithatë se “ende ka aleatë që po tërhiqen disi dhe duhet të bëjnë më shumë”.

Aleatët do të mblidhen në samitin vjetor në Ankara më 7-8 korrik, ku axhenda do të fokusohet fort te shpenzimet për sigurinë evropiane dhe atë të Arktikut, si edhe te nevoja për të rritur ndjeshëm prodhimin ushtarak.

SHBA-ja pret të shohë prova konkrete të angazhimit të vendeve të NATO-s për ta çuar shpenzimin për mbrojtjen në 5 për qind të PBB-së deri në vitin 2035, pas marrëveshjes për rritjen e pragut të shpenzimeve që u arrit në samitin e vitit të kaluar në Hagë.

Rutte do të takohet me Trumpin dhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në Zyrën Ovale në orën 15:30 EST të mërkurën. Gjatë vizitës së tij dyditore, ai do të zhvillojë takime edhe me anëtarë të Kongresit dhe me zyrtarë të CIA-s.

“Gjë budallaqe për t’u thënë”

Euronews ka mësuar se deklarata përfundimtare ose konkluzionet që pritet të publikohen në fund të samitit të korrikut nuk përfshijnë ende një angazhim për zhvillimin e një samiti tjetër të tillë në vitin 2027. Zyrtarë të NATO-s, përfshirë edhe Rutte, thuhet se po rishqyrtojnë të ardhmen e këtij eventi vjetor, në përpjekje për të shmangur përplasjet publike me një administratë Trump të ashpër dhe të paparashikueshme.

Shqipëria pritet të jetë vendi mikpritës i samitit në vitin 2027, por burime thonë se eventi mund të zhvendoset nëse vendi nuk tregon progres në tejkalimin e pragut të aleancës prej 2 për qind të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes. Megjithatë, edhe vende të tjera si Spanja, Italia dhe Çekia konsiderohen si “të prapambetura” në këtë drejtim, ndërsa Belgjika vetëm së fundmi e ka arritur objektivin e shpenzimeve.

Të hënën, Trump kërcënoi se do të pezullonte ndihmën ushtarake në kuadër të doktrinës së mbrojtjes kolektive të NATO-s për vendet që refuzuan thirrjet për të ndihmuar SHBA-në në luftën e saj kundër Iranit.

“Ne kemi shpenzuar gjithë këto para. Dhe pastaj, kur ndoshta kemi nevojë për ndihmë për gjëra të vogla… ata thonë jo, nuk do të donim të ndihmonim”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale. “Është gjë budallaqe për t’u thënë, sepse ne mund t’ua themi të njëjtën gjë atyre, nëse duam, dhe mund ta bëjmë.”

Trump mbetet ende i zemëruar me vendet evropiane për atë që ai e konsideron si mungesë mbështetjeje të mjaftueshme ndaj SHBA-së gjatë luftës me Iranin. Disa aleatë të NATO-s refuzuan t’u lejonin forcave amerikane të zbarkonin në bazat detare dhe ushtarake gjatë rrugës drejt Lindjes së Mesme. Në ditët e para të luftës, Spanja njoftoi se do të kufizonte përdorimin e hapësirës së saj ajrore nga avionët amerikanë si pjesë e operacioneve ushtarake; Mbretëria e Bashkuar fillimisht refuzoi qasjen, por më pas u tërhoq, duke e lejuar për “sulme mbrojtëse” kundër objektivave raketore iraniane.

Pentagoni ka njoftuar që prej asaj kohe një sërë masash që reduktojnë në mënyrë efektive pjesëmarrjen afatgjatë të SHBA-së në aleancë. Pasi kancelari gjerman, Frederic Merz, kritikoi publikisht strategjinë ushtarake SHBA-Izrael ndaj Iranit si “të konceptuar keq”, Trump i bëri të ditur NATO-s se po tërhiqte 5,000 trupa nga Gjermania.

Po ashtu, në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel javën e kaluar, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, sulmoi homologët e tij nga 31 vendet e tjera aleate, duke i quajtur vendet e tyre “të turpshme” për refuzimin që t’i bashkoheshin ose ta mbështesnin fushatën ushtarake.

Hegseth njoftoi gjithashtu një rishikim 6-mujor të dislokimeve ushtarake amerikane në Evropë, ku priten shkurtime të ndjeshme. Ai kërcënoi edhe me tërheqjen e financimit nga buxheti i NATO-s, si formë ndëshkimi ndaj disa vendeve që, sipas tij, nuk po paguajnë pjesën e tyre.