Ish-presidenti Ilir Meta është përfshirë në një debat me ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, gjatë seancës së sotme në GJKKO.
Debati u nxit nga deklarata e Metës, se nuk ka qenë në dijeni se çfarë ka bërë Kryemadhi.
“Nuk ekziston asnjëlloj ndikimi për Adrian Shatkun. As për askënd tjetër. Asnjë SMS për Monika Kryemadhin, Piro Xhixhon. Edhe një interes që mund të ishte i ligjshëm. As me Theodhori Çamin, që e ka mbiemrin Çami, po ka therur çamë. Kjo është histori UDB-je, edhe Adrian Shatku duhet të kishte ardhur këtu sapo dëgjoi emrin, se ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Adrian Shatku u largua në 1989, e mori UDB-ja, pastaj iku në Amerikë. Kjo është histori UDB-je dhe agjenturash greke. Nuk kam asnjë dijeni për veprimet e Monika Kryemadhit, i di vetë ajo. Ato historitë e mesazheve i di zonja Kryemadhi,” deklaroi ai.
Ndërkohë, nuk mungoi edhe përgjigja e Kryemadhit, e cila tha se ai merret me thashethemet e Tedi Blushit dhe ish-kreut të SPAK Altin Dumani.
“Boll se nuk është ashtu. Me llafet që të sjell Altin Dumani, thashetheme flet këtu. Mos u merr me llafe grash. Akoma merresh me thashethemet e Tedi Blushit?
Kam 4 vjet që e dëgjoj dhe e duroj. Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më. Do të t’i lexoj dhe unë mesazhet ty, të marrësh vesh. Me llafet e këtij rrogëtari merresh ti?”- u shpreh Kryemadhi.
Ndërkohë më pas ndërhyri gjykata duke paralajmëruar se do ti nxirrte nga salla.
“Do ju nxjerr nga salla e gjyqit. Paralajmërojmë të pandehurën Monika Kryemadhi, nëse e përsërisni, do largoheni nga seanca dhe do gjobiteni”.