“Rikthehet” Arben Ahmetaj, ankimon në Kushtetuese kontrollin e banesës

Prej javësh ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj kishte dalë nga “busulla” mediatike, pasi ia kishte lënë vendin skandaleve të tjera dhe problemeve të shumta që ka Shqipëria, por sot është rikthyer sërish në skenë.

Nga arratia, Ahmetaj nëpërmjet avokatit të tij ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese kontrollin e banesës së bashkëjetueses, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme, vendim i cili u la në fuqi nga Apeli dhe Gjykata e Lartë.

Sipas tij, kontorllet janë bërë në kundërshtim me ligjin, pasi në njërën nga banesat ai jetonte edhe vetë dhe SPAK nuk ka patur autorizim nga Kuvendi. Me anë të kësaj kërkese, ai shpreson që çështja të shkojë sërish në Apel.

Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi akuzohet për korrupsion në mega-aferën e inceneratorëve. Sipas SPAK, së bashku me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, ai është një nga personat kryesorë të kësaj afere, për të cilën janë arrestuar shumë ish-zyrtarë të tjerë.