Zgjatja e orarit të punës, infermierët e Onkologjikut paralajmërojnë protestë

Infermierët e Njësisë së Kimioterapisë në Spitalin Onkologjik kanë kundërshtuar zgjatjen e orarit të punës, nga 6 në 8 orë.

Në një kërkesë zyrtare drejtuar QSUT-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ata kërkojnë ruajtjen e orarit të reduktuar, siç bën me dije gazetari Osman Stafa, në të kundërt paralajmërojnë se do të ndjekin rrugën ligjore, format sindikale, dhe protestat.

Në shkresën zyrtare ata nënvizojnë se ekspozimi i zgjatur ndaj barnave citotoksike rrit rrezikun për shëndetin e tyre. Ata theksojnë se orari aktual prej 6 orësh është vendosur jo rastësisht, por si masë mbrojtëse për shëndetin dhe sigurinë e personelit që punon në kushte të veçanta dhe të rrezikshme.

“Puna jonë konsiston në përgatitjen, manipulimin dhe administrimin e barnave citotoksike (citostatikëve), të cilat klasifikohen ndërkombëtarisht si substanca me rrezik të lartë profesional për personelin shëndetësor. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtyre substancave është dokumentuar gjerësisht në literaturën shkencore si faktor rreziku për dëmtime serioze shëndetësore afatshkurtra dhe afatgjata.

Sipas Instituteve Kombëtare Amerikane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (NIOSH), personeli shëndetësor i ekspozuar ndaj barnave citotoksike mund të përballet me:

  • rritje të rrezikut për zhvillimin e kancerit profesional;
  • infertilitet dhe çrregullime riprodhuese;
  • dëmtime gjenetike dhe mutagjene;
  • probleme neurologjike dhe respiratore;
  • reaksione alergjike dhe dermatologjike;
  • lodhje kronike dhe ulje të përqendrimit.

Dëshirojmë të theksojmë se puna jonë përfshin përgatitjen dhe administrimin e citostatikëve, të cilët janë substanca të fuqishme kimike dhe potencialisht të rrezikshme për shëndetin e stafit kur ekspozimi ndaj tyre tejkalon kohën e rekomanduar. Siç dihet, këto medikamente përgatiten e administrohen drejtpërdrejt në pavijon, duke rritur rrezikun për kontakt të vazhdueshëm me agjentë toksikë, kur ekspozimi ndaj tyre tejkalon kohën e rekomanduar”- shkruhet mes të tjerash në shkresën e infermierëve.

Postimi i gazetarit Osman Stafa:

Infermierët e Onkologjikut paralajmërojmë protestë

Infermierët e Njësisë së Kimioterapisë në Spitalin Onkologjik po kundërshtojnë vendimin për zgjatjen e orarit të punës nga 6 në 8 orë, duke paralajmëruar se ekspozimi i zgjatur ndaj barnave citotoksike rrit rrezikun për shëndetin e tyre.

Në një kërkesë zyrtare drejtuar QSUT-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ata kërkojnë ruajtjen e orarit të reduktuar, vlerësim të pavarur të riskut profesional dhe masa shtesë mbrojtëse.

Nëse kërkesa e tyre nuk merret parasysh, infermierët paralajmërojnë se do të ndjekin rrugën ligjore, format sindikale, dhe protestat.

Qartazi Ministrja e Shëndetësisë kur shkon në Onkologjik, i përdor për figurantë infermierët në videot e propagandës. Asnjëherë nuk është ulur me ta për ta folur këtë çështje. Për të folur sy më sy. Por vendimi vjen nga lart, pavarësisht pasojave që bien mbi shëndetin e infermierëve që rrinë tek kimiot, si tek kapa(vendi ku shkrihen kimiot), edhe tek dhomat ku injektohet kimiotetapia tek pacientët.

Kaq të vështirë e ka Ministrja Evis Sala, që për këtë shërbim të shtoj numrin e infermierëve dhe vendosë 6 orarshin si orar pune? A nuk kanë para për disa rroga shtesë? Zgjidhet kjo situatë në këtë formë por kërkon vullnet. A ka vullnet Ministrja e Shëndetësisë për ta zgjidhur? Se për shumë gjëra e gënjejnë ata që e kanë afër, por kjo shkresë i paska shkuar edhe në zyrë. Duhet ta ketë lexuar.