Nëse hedh një vështrim në Europën Perëndimore këto ditë, është e vështirë të gjesh një vend që i ka shpëtuar vapës përvëluese.
Në Mbretërinë e Bashkuar, temperaturat kaluan 35 gradë Celsius të martën – më shumë se 2 gradë mbi rekordin e mëparshëm të muajit maj. Sipas meteorologëve, një nxehtësi e tillë do të ishte e jashtëzakonshme edhe në kulmin e verës, e jo më në fund të pranverës.
“Absolutisht mahnitëse”, e përshkruan situatën Friederike Otto, profesore e shkencës së klimës në Imperial College London. Ndërsa Peter Thorne, drejtor i Qendrës Kërkimore për Klimën Icarus në Irlandë, e quan atë “çmenduri të paimagjinueshme”.
Edhe Franca po përjeton një valë të paprecedentë të nxehti për këtë periudhë të vitit, sipas shërbimit meteorologjik kombëtar. Qindra rekorde temperaturash janë thyer në të gjithë vendin.
Rekordi i temperaturës për muajin maj në ishullin e Irlandës është tejkaluar me më shumë se 2 gradë Celsius, ndërsa Gjermania, Italia, Spanja dhe Zvicra po përballen gjithashtu me temperatura jashtëzakonisht të larta për stinën e pranverës.
Si po e përshpejton ndryshimi klimatik valën e të nxehtit?
Shkaku i drejtpërdrejtë i kësaj vale të nxehti është fenomeni i njohur si “kupola e nxehtësisë” (heat dome), kur një zonë me presion të lartë atmosferik mbetet e bllokuar mbi një rajon, duke mbajtur ajrin e ngrohtë të izoluar pranë sipërfaqes së tokës.
Megjithatë, shkencëtarët nuk kanë dyshime se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor – kryesisht djegia e qymyrit, naftës dhe gazit – po e bëjnë këtë nxehtësi shumë më intensive.
Gjatë 30 viteve të fundit, Europa është ngrohur me rreth 0.56 gradë Celsius për dekadë, më shumë se dyfishi i mesatares globale. Në pamje të parë kjo mund të duket një rritje modeste, por për klimën përbën një transformim të thellë, i mjaftueshëm për të intensifikuar ndjeshëm ekstremet e temperaturave.
“Kur kemi një valë të nxehti, ajo tashmë ndodh mbi një klimë që është më e ngrohtë se më parë, prandaj bëhet shumë më e fortë”, shpjegon Richard Betts, drejtues i kërkimeve mbi ndikimet klimatike në Shërbimin Meteorologjik Britanik.
Sipas tij, shumë prej fenomeneve që po shihen sot janë pikërisht ato për të cilat shkencëtarët paralajmëronin dekada më parë, ndonëse intensiteti dhe shpejtësia me të cilën po shfaqen i kanë tejkaluar pritshmëritë.
Dhe Europa nuk është e vetmja që po përjeton temperatura ekstreme. Në Delhi të Indisë, termometri ka arritur deri në 45 gradë Celsius.
Rekorde që nuk po thyhen, por po shkatërrohen
Në një klimë të qëndrueshme, rekordet e temperaturave duhet të bëhen gjithnjë e më të rralla me kalimin e viteve. Sa më shumë të zgjasin matjet historike, aq më e vështirë bëhet thyerja e rekordeve ekzistuese.
“Kur një atlet thyen rekordin botëror në kërcimin së larti, zakonisht e tejkalon me një centimetër, jo me 20 apo 30 centimetra. E njëjta logjikë vlen edhe për motin”, shpjegon Erich Fischer, profesor i shkencave atmosferike në ETH Zurich.
Sipas tij, pas 100 apo 150 vitesh matjesh meteorologjike, do të pritej që një rekord të thyhej me disa të dhjeta të gradës, jo me dy apo tre gradë Celsius.
Por në një klimë që po ngrohet me ritme të shpejta, kur shfaqen fenomene të rralla si “kupola e nxehtësisë”, rekordet nuk thyhen thjesht – ato shkatërrohen.
“Europa Perëndimore po përjeton një periudhë ngrohjeje shumë të shpejtë. Nëse të njëjtat kushte atmosferike që kemi parë në vitet 1970 do të përsëriteshin sot, temperaturat nuk do të ishin pak më të larta, por do të tejkalonin rekordet me diferenca të mëdha”, thotë Fischer.
Një paralajmërim për të ardhmen
Valët rekord të të nxehtit po ndodhin në një botë që tashmë është mesatarisht 1.4 gradë Celsius më e ngrohtë sesa në fund të shekullit XIX.
Megjithatë, sipas politikave aktuale globale, temperatura mesatare e planetit mund të afrohet me 3 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale deri në fund të këtij shekulli.
Kjo do të thotë më shumë rekorde temperaturash dhe sfida gjithnjë e më të mëdha për vende si Britania e Madhe apo Zvicra, infrastruktura e të cilave nuk është projektuar për nxehtësi ekstreme.
“Klima në të cilën jetojmë sot nuk është më ajo me të cilën jemi rritur. Ndërtesat dhe infrastruktura jonë janë të papërgatitura për atë që po vjen”, paralajmëron profesorja Otto.
Deri në vitin 1990, rekordi absolut i temperaturës në Britani ishte 36.7 gradë Celsius, i vendosur në vitin 1911. Që atëherë ai është thyer disa herë dhe aktualisht qëndron në 40.3 gradë Celsius, i regjistruar në korrik të vitit 2022.
Shkencëtarët paralajmërojnë se pa reduktimin e emetimeve të karbonit deri në nivelin neto zero, planeti do të vazhdojë të ngrohet dhe rekordet e temperaturave do të vazhdojnë të bien.
Sipas Komitetit Britanik për Ndryshimet Klimatike, valët gjithnjë e më ekstreme të të nxehtit, thatësirat dhe përmbytjet po kërcënojnë tashmë mënyrën e jetesës në Britani. Deri në mesin e shekullit, më shumë se 90 për qind e banesave ekzistuese mund të përballen me mbinxehje gjatë periudhave ekstreme të vapës.
Ekspertët kërkojnë që qeveritë të përgatiten më seriozisht për një të ardhme me temperatura më të larta, përmes investimeve në sisteme ftohjeje, standarde të reja ndërtimi dhe masa mbrojtëse për punëtorët.
Dhe siç treguan ditët e fundit, sfida e vapës ekstreme nuk kufizohet më vetëm në muajt e verës.