Furnizonte shpërndarësit e drogës me kokainë, pranga 37-vjeçarit në Tiranë

Një 37-vjeçar u arrestua në Tiranë për shpërndarje droga në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Në pranga përfundoi Ksainel Caka, të cilit gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë i gjetën 37-vjeçarit mbi 200 gramë kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

“Vihet në pranga një shtetas, i cili dyshohet se furnizonte shtetas të tjerë me lëndë narkotike kokainë, për ta shpërndarë në doza në zona të ndryshme të Tiranës. Sekuestrohen mbi 200 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, ndërsa vijojnë hetimet dhe operacioni për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Si rezultat i kontrolleve intensive dhe veprimeve hetimore të kryera nga strukturat e Policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Zonat”, u godit një rast i shitjes së lëndëve narkotike. Për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi K. C., 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap në rrugën “Skënderbej”.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ushtronte aktivitetin kriminal të shitjes së lëndëve narkotike në zona të ndryshme të Tiranës. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 37-vjeçarit mbi 200 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.