PD nis Kuvendin Kombëtar me video me AI: Nuk jam Skënderbeu i Elisës! Unë kam kushtuar 100 euro, avatari i Ramës 4 mln euro

Partia Demokratike i nisi punimet e Kuvendit Kombëtar  duke prezantuar një avatar të heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të krijuar me Inteligjencë Artificiale.

Përmes këtij prezantimi, PD ironizoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama, duke e krahasuar këtë nismë me ministren virtuale “Diella”, për të cilën opozita ka deklaruar më herët se ka kushtuar miliona euro.

 “Unë jam Skënderbeu. Jo Skënderbeu i Elisës, para se Elisa të inatosej me Skënderbeun e saj, As Skënderbeu i kullës së Edit në mes të Tiranës.

Jam Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, europeisti i parë i këtyre trojeve. Në fakt, jam një avatar i krijuar nga Departamenti AI i Partisë Demokratike. Ndryshe nga avatari i Ramës, Diella, që ka kushtuar milion euro, unë kam kushtuar vetëm 100 euro.

Edi Rama po i kushton shumë Shqipërisë: që nga pushtimi otoman askush nuk i ka kushtuar më shumë këtij vendi të bekuar. Në fund, më lejoni që t’i uroj punë të mbarë Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Le të jetë kjo besëlidhje, jo vetëm e Ripërtëritjes, por edhe e Anti-Vjedhjes!”

Ndërkohë kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviç ka përdshëndetur përmes një video-mesazh Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Gjatë mesazhit të tij, Plenkoviç tha se ndan të njëjtin orientim të qëndrueshëm pro-europian dhe shprehu mbështetjen e partisë së tij për kuvendin e demokratëve.

“Të dashur miq,

U uroj të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike të Shqipërisë një kuvend sa më të suksesshëm.
Isha shumë i kënaqur që prita zotin Sali Berisha, mikun tim prej shumë vitesh, në Kroaci gjatë Forumit të IDU-së këtu në Zagreb, disa javë më parë.
Patëm një bisedë të gjerë mbi aktivitetet dhe reformimin e partisë.
Ne ndajmë të njëjtin orientim të qëndrueshëm pro-europian dhe dëshiroj t’ju jap mbështetjen e fortë të Bashkimit Demokratik Kroat për një kuvend të suksesshëm të partisë dhe për suksese të mëtejshme elektorale. Të gjitha të mirat nga Zagrebi.”, ishte mesazhi i kryeministrit kroat.