Sfida mujore e pensionistëve, radhë dhe pritje të gjata për një abone

Pamjet më lart janë në një nga pikat ku pensionistët marrin abonetë e tyre për të patur mundësi që të lëvizin falas me transportin publik.

Ajo çfarë shihet është se pensionistët mbajnë radhë për orë të tëra për të marrë abonenë. Ata detyrohen të presin mes vapës, por edhe të të ftohtit në sezonin e dimrit, ndëra ende nuk është gjetur një zgjidhje për tua lehtësuar disi këtë proces.

Kjo situatë është e përmuajshme në pothuajse të gjitha pikat ku lëshohen abonetë, ku ata qëndrojnë edhe me orë në këmbë për ta marrë atë.

Kjo situatë është denoncuar sot edhe nga deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe, ndërsa një ditë më parë reagoi edhe deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e cila në një postim në rrjete sociale, sugjeronte që pensionistët të pajiseshin me abone vjetore, në mënyrë që të shmangen radhët e gjata.

Shume prej pensionistëve janë edhe me probleme shëndetësore, kjo edhe për shkak të moshës që kanë, por janë të detyruar të presin deri sa te marrin abonenë.

Ndërkohë ka edhe disa zona të Tiranës, si Astiri, që nuk ka një pikë ku jepen abonetë për pensionistët, duke detyruar këta të fundit të shkojnë drejt një pike tjetër, duke bërë edhe më shumë rrugë, e përkthyer më shumë lodhje për ta.