SHBA prezanton pasaporta “limited edition” me imazhin e Trump

Shtetet e Bashkuara do të fillojnë këtë verë të lëshojnë pasaporta me imazhin e presidentit Donald Trump. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, duke shpjeguar se dokumenti «do të jetë pasaporta standarde e lëshuar nga Zyra e Pasaportave në Uashington, sapo të jetë e disponueshme», në një edicion të kufizuar vetëm për ata që do ta rinovojnë personalisht në atë strukturë.

Ata që do ta bëjnë rinovimin online ose në zyrat e tjera do të mbeten me dizajnin aktual. Në këtë mënyrë, Trump do të jetë presidenti i parë në detyrë i Shteteve të Bashkuara që paraqitet në dokumentet e udhëtimit të amerikanëve.

Departamenti i Shtetit ka postuar në rrjetet sociale një paraqitje se si do të duken pasaportat e reja: fytyra e Donald Trump dhe firma e tij në ngjyrë ari do të gjenden në kopertinën e brendshme, të mbivendosura mbi Deklaratën e Pavarësisë të 4 korrikut 1776.

«Ndërsa Shtetet e Bashkuara festojnë 250-vjetorin në korrik, Departamenti i Shtetit po përgatitet të lëshojë një numër të kufizuar pasaportash me dizajn të veçantë për të përkujtuar këtë rast historik», tha Pigott. «Këto pasaporta do të kenë grafika të personalizuara dhe imazhe të përmirësuara, duke ruajtur të njëjtat karakteristika sigurie që e bëjnë pasaportën amerikane dokumentin më të sigurt në botë».