Projektligji i ri vendos rregulla të reja dhe rrit kontrollin qendror për burimet ujore

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pritet të marrë më shumë kontroll mbi përdorimin e burimeve ujore, ndërsa projektligji i ri “Për burimet ujore”, i depozituar në Kuvend, vendos rregulla të reja për shpërndarjen e ujit mes sektorëve të ekonomisë.

Sipas relacionit të vlerësimit të ndikimit, projektligji synon të kalojë nga një sistem i fragmentuar drejt një modeli të centralizuar, ku vendimmarrja për përdorimin e ujit konsolidohet në nivel qendror. Ministria do të ketë kompetenca më të drejtpërdrejta në miratimin e planeve të menaxhimit dhe rregulloreve që përcaktojnë aksesin në këtë burim.

Një nga shtyllat kryesore është menaxhimi sipas baseneve ujore. Për çdo basen do të hartohen plane që përcaktojnë qartë përdorimin dhe prioritetet për sektorë si bujqësia, prodhimi i energjisë hidro, furnizimi me ujë të pijshëm, industria dhe turizmi.

Relacioni thekson se presioni mbi burimet ujore po rritet nga disa drejtime njëkohësisht.

Bujqësia mbetet përdoruesi më i madh përmes ujitjes, ndërsa hidroenergjia kërkon menaxhim të qëndrueshëm të rezervave për prodhim energjie. Paralelisht, rritja e turizmit, sidomos në zonat bregdetare, dhe zgjerimi i aktivitetit industrial po shtojnë kërkesën për furnizim me ujë.

Përballë kësaj kërkese të shumëfishtë, projektligji vendos rregulla më të qarta për aksesin dhe përdorimin, duke e kthyer ujin në një burim të menaxhuar me logjikë ekonomike, ku shpërndarja bëhet mbi bazën e prioriteteve dhe lejeve.

Një tjetër element është forcimi i mekanizmave të licencimit dhe monitorimit, me qëllim reduktimin e përdorimit pa leje dhe rritjen e kontrollit mbi burimet ujore.

Projektligji parashikon gjithashtu nevojën për investime në infrastrukturën ujore, përfshirë sistemet e ujitjes, menaxhimin e rezervave dhe mbrojtjen nga përmbytjet, si pjesë e një qasjeje më të strukturuar ndaj këtij sektori./Monitor