Pas përfundimit të garës në Kampionatin Europian, peshëngritësi Erkand Qerimaj ka hedhur akuza të forta ndaj Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, për mungesën e mbështetjes ndaj sportistëve.
Ai tregon se në njërën prej provave të tij, ka ngritur 184 kg dhe juria fillimisht e ka cilësuar të rregullt, ndërsa më pas e ka anuluar, duke i bërë një padrejtësi të madhe. Por, më i rëndë sesa vendimi i gjyqtarëve, Qerimaj thotë se ishte reagimi i drejtuesve të Federatës, të cilët ishin aty, por nuk patën as guximin minimal për të mbrojtur sportistin e tyre.
Ai vijon të hedhe akuza ndaj Federatës së Peshëngritjes, duke thënë se Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë pa uniforma dinjitoze dhe pa fizioterapist e mjek, çfarë tregon mungesën e madhe të mbështetjes së sportistëve shqiptarë edhe në komnpeticione si Kampionati Europian.
Sipas Qerimajt, fondet kalojnë çdo vit, por asnjë nuk e di se ku shkojnë, pasi askush nuk jep llogari, edhe pse ka kërkuar auditim.
Postimi i plotë:
Sapo përfundova garën në Kampionatin Europian dhe këtë herë ama do flas pa filtra!
Në shkëputje realizova 152 kg dhe tentova rekordin e Europës me 157 kg. Isha shumë pranë. Në shtytje realizova 184 kg – provë e pastër, e dhënë me 3 të bardha nga gjyqtarët. Më pas, juria vendos ta anullojë për një lëkundje minimale. Ky nuk është thjesht një vendim – është një padrejtësi e pastër dhe e turpshme që i bëhet një sportisti në mes të Europës.
Por edhe më e rëndë se kjo është heshtja. Drejtuesit e federatës ishin aty, me lekët e taksapaguesve, dhe nuk patën as guximin minimal për të mbrojtur sportistin e tyre. Asnjë reagim. Asnjë protestë. Asnjë qëndrim. Kjo nuk është papërgjegjshmëri por kjo është dështim.
Kur marrim medalje, jeni të parët për foto dhe deklarata. Kur ndodh padrejtësia, zhdukeni. Kjo është hipokrizi e pastër.
Jemi i vetmi ekip në Europë që dalim pa uniforma dinjitoze. Pa fizioterapist. Pa mjek. Pa asnjë standard bazë që çdo shtet serioz e konsideron minimum. Dhe pastaj flasim për “rrugën drejt Europës”? Kjo është skandaloze.
Fondet? Vijnë çdo vit. Askush nuk jep llogari. Askush nuk tregon ku shkojnë. Kam kërkuar auditim , zero përgjigje. Kjo federatë sillet si pronë private, jo si institucion që duhet t’i shërbejë sportistëve dhe trajnerëve.
STOP më me heshtje. BOLL më me abuzim. Sportistët nuk janë dekor për foto dhe propagandë, janë ata që mbajnë peshën reale të perfaqesimit Sportiv mbi supe.
Dhe kjo që po ndodh nuk është thjesht problem është turp.