Këshilltari i Bashkisë së Tiranës, Alfred Muharremi, ka bërë një tjetër deklaratë të çuditshme gjatë një emisionit “Off Record” në A2CNN.
Në emision po diskutohej mbi vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë mbi praktikën e arrestit, ku janë hedhur shumë akuza se kjo lëvizje po bëhet për të nxjerrë nga burgu zyrtarët që janë kapur nga SPAK si të korruptuar, mes të cilëve edhe Erion Veliaj e Ilir Beqaj.
Gjatë fjalës së tij, duke tentuar të dalë pro rishikimit të praktikës së arrestit me burg, Muharremi tha se edhe ai nuk do të duhej të futej në burg në rast se do të shtypte një njeri me makinë, pasi do ta kishte bërë padashje.
“Lajthita nga trutë nesër, bëra një gabim, një kundravajtje, jo penale por rrugore. Shtypa një njeri pa dashje, ça të bëj, të ha burgun unë? Nuk po them ta vrasim , padashje mor burrë i dheut. Unë nuk mund të jem në burg për një gabim që mund ta kem bërë padashje”, u shpreh Alfred Muharremi.
Kjo deklaratë e tij shkaktoi habi edhe te të ftuarit e tjerë, të cilët e kundërshtuan, por ai vijoi t’i qëndrojë idesë së tij.
Por kjo nuk ishte hera e parë që Muharremi bën deklarata të tilla të çuditshme, pasi pak kohë më parë, ai tha se do të jetë “dele” për sa kohë të jetë pjesë e strukturave të Partisë Socialiste.
Video nga emisioni “Off Record” në A2CNN