Këshilltari i Bashkisë Tiranë e thotë me krenari: Do jem dele për sa kohë të jem pjesë e strukturave të PS

Gjatë debatit në emisionin “Off Record” në A2CNN, deputeti opozitar Tedi Blushi i ka quajtur “dele” këshilltarët socialistë të Bashkisë së Tiranës, për shkak se ata iu bindën urdhrit të kryeministrit Rama për të shkarkuar kryebashkiakun Erion Veliaj.

Ky etiketim “dele” do të ishte pak i rëndë për këdo tjetër, por e kundërta ka qenë për Alfred Muharremin, këshilltarin socialist të Bashkisë.

Ai tha se do të jetë dele për sa kohë të jetë pjesë e strukturave të Partisë Socialiste, që ka në funksion shërbimin e qytetarëve.

“Unë do jem dele për sa kohë të jem pjesë e strukturave të PS-së që ka në funksion shërbimin e qytetarëve. Dele do jem, këta le të mendojnë çfarë të duan”, u shpreh Muharremi.

Ndërkohë, Alfred Muharremi ishte mes 5 këshilltarëve që nuk votuan pro shkarkimit të Veliajt. I pyetur për këtë, ai tha se ishte larguar para votimit për arsye personale, dhe kur ishte kthyer votimi kishte përfunduar.