Opozita proteston në 12 Mars, Berisha zbulon orën: Në 10:00 e gjithë Shqipëria para Parlamentit

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka njoftuar sot gjatë Foltores para Kryeministrisë, se protesta e radhës e opozitës që do të zhvillohet më 12 Mars do të mbahet në orën 10:00 para Kuvendit.

Berisha ftoi të gjithë shqiptarët që t’i bashkohen kësaj proteste, teksa në Kuvend do të jetë seanca ku do të votohet për heqjen e imunitetit të ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK kërkon arrestimin.

“Më 12 Mars të gjithë shqiptarët para Parlamentit, është dita e përmbysjes së madhe të narkoregjimit. Në orën 10 eNë orën 10 e gjithë Shqipëria te Parlamenti””, u shpreh Berisha.

Kujtojmë se më herët gjatë ditës, Partia Socialiste njoftoi se do të rrëzojnë kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, me këtë të fundit të pandehur për Tunelin e Llogarasë dhe në hetim për Unazën e Madhe të Tiranës.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, Ulsi Manja, si anëtar i Këshillit të Mandateve, prezantoi raportin mbi kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-ministres. Ai hodhi poshtë çdo pretendim të Prokurorisë së Posaçme për të rënduar masën e sigurisë për Ballukun.

Manja ngriti pretendime edhe se procesi ishte i motivuar politikisht, kur vetë avokatët e Ballukut nuk  e kishin një pretendim të tillë.

“Ne si mazhorancë, arrijmë në përfundimin se nuk ka vend për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit me masën më të rëndë, atë të arrestit me burg, apo në shtëpi, të parashikuar nga neni 237 e 238 të Kodit Penal të Kushtetutës.”, tha Manja gjatë mbledhjes.